Ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani ka kërkuar sot shkarkimin e Agim Veliut, pasi ministri i Brendshëm i Kosovës ka fyer kryetaren e Parlamentit duke iu referuar fizikut të saj dhe duke e cilësuar zonjën Osmani “si një grua të gjerë që nuk e nxë kryesia e LDK-së”.

Egnesa Vitia pjesë e stafit të Vjosa Osmanit ka deklaruar se nënkryetari i LDK-së, është seksist dhe i neveritshëm.

“Agim Veliu, je turp për shoqërinë tonë! Je i neveritshëm! Je seksist! Je i paskrupullt! Jemi të vetëdijshëm që këto janë momentet e fundit të ekzistencës tënde në skenën e politikës, por të lakmosh protagonizmin politik duke aplikuar bullizëm, sekzisëm e mizogjini është tërësisht e pafalshme, e patolerushme, e papranueshme. Është e neveritshme”, ka thënë ajo.

Ajo ka bërë thirrje Veliu pas deklaratave të sotme duhet të shkarkohet menjëherë.

“Më e pakta që duhet të ndodhë tani është shkarkimi yt i menjëhershëm, pasi përgjigjen me aktin tënd të fundit do të ta japin qytetarët shumë shpejt. Ti nuk mund të jesh në krye të institucioneve tona, ti s’mund të jesh as përfaqësim i askujt në këtë shoqëri, sepse ti je sinonim i gjithçkaje nga e cila ne duhet të distancohemi përfundimisht”, ka shkruar ajo.