Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka shprehur mbështetjen e SHBA-ve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Price shkruan se çelja e negociatave nuk duhet të vonojë më.

Diplomati shpreh angazhimin dhe mbështetjen e qeverisë amerikane për integrimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

“Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pa vonesë. Ne jemi duke u angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë për të demonstruar përkushtimin tonë në rrugët evropiane të aspirantëve“, shkruan Price në Twitter.

Kjo thirrje nga ana e SHBA-ve vjen kur pritet që çështja e përcaktimit të një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian të vendoset më 22 qershor në mbajtjen e mbledhjes së radhës së Këshillit Evropian.

Deri tani Komisioni Evropian vijon që të apelojë Këshillin që ta përcaktojë sa më shpejt të jetë e mundur këtë datë. Tashmë ka mbetur vetëm një pengesë për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare që është qëndrimi i Bullgarisë.

Për arsye të përplasjeve me Maqedoninë e Veriut qeveria bullgare bllokon kështu automatikisht edhe Shqipërinë, pasi pritet që përcaktimi i datës të bëhet për të dyja shtetet njëherazi.