Presidenti Ilir Meta rishpalli për të tretën herë vendin e lirë në Gjykatën Kushtetuese. Rishpallja e procedurës së aplikimit për vendin vakant për gjyqtar vjen pas përfundimit përpara kohe e mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj.

Presidenti ka argumentuar në dekretin e tij se ka rishpallur aplikimet për shkak se në përfundimit të procedurave të verifikimit të ndjekura nga KED-ja në shpalljen e parë për plotësimin e vendit vakant nuk ka pasur kandidatë të kualifikuar me vendim të formës së prerë.

“Në mbështetje të neneve 93, 125, 127 pikat 1/c, 2, 3, dhe nenit 179 pika 2 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, 7/a, 7/b, 7/dh pika 2, 86 pika 4 shkronja “d”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, pasi vlerësova njoftimin nr. 268 prot., datë 18.09.2020 dhe Vendimin nr. 29, datë 16.09.2020, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, administruar me nr. 3188 prot., datë 21.09.2020, nëpërmjet të cilit KED-ja ka vendosur njoftimin e Presidentit të Republikës për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme e shpallur fillimisht nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 10723, datë 07.02.2018, rishpallur me Dekretin nr. 11291, datë 27.09.2019, për shkak se në përfundim të procedurave të verifikimit të ndjekura nga KED-ja, rezulton se në garë për plotësimin e këtij vendi vakant aktualisht nuk ka kandidatë të kualifikuar me vendim të formës së prerë”, thuhet në dekretin e firmosur nga Meta.