Ambasada amerikane në Tiranë ka publikuar foto nga operacionet e zhvilluara javën e kaluar në detin Adriatik. Në një njoftim të shpërndarë në rrjetet sociale ambasada e SHBA thekson bashkëpunimin e ngushtë me vendin tonë dhe shprehet se shkatërruesit e raketave të komanduara së bashku me anijet e rojes bregdetare shqiptare kanë kryer operacione manovrimi.

“Në frymën e bashkëpunimit të ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, dhe si aleate të NATO-s, shkatërruesit e raketave të komanduara të klasit Arleigh Burke, USS Gravely dhe USS Bainbridge, së bashku me anijet e rojes bregdetare shqiptare Lissus (P 133) dhe Oriku (P 132), kryen javën e kaluar operacione manovrimi në detin Adriatik”.

Sipas ambasadës së SHBA këto operacione po zhvillohen për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë detare, si dhe për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve në Europë dhe Afrikë.

“USS Gravely dhe Bainbridge janë së bashku me grupin Harry S. Truman Carrier Strike në një dislokim të planifikuar në zonën e operacioneve të Flotës së Gjashtë të SHBA-së, në mbështetje të operacioneve detare për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë detare, si dhe për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve në Europë dhe Afrikë”.

Foto e publikuara i përkasin Marinës së SHBA nga Specialisti i Komunikimit Masiv Seaman Moises Sandoval.