Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar pas deklaratës së disa ditëve më parë të kreut të Ardhmërisë për Kosovën, Ramush Haradinaj se nëse Kosova nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare, do të kërkonte referendum për bashkim me Shqipërinë.

Në faqen e vet zyrtare, Ministria e Jashtme ruse e cilëson këtë deklaratë një provokim të radhës që kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit.

“Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit.

Shantazhi politik është i papranueshëm dhe pikërisht kështu duhet të interpretohet fjalimi i R. Haradinajit, i cili me lehtësi propozon të rishikojë në mënyrë arbitrare kufijtë në Ballkan”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Në një deklaratë gjatë takimit me mbështetës të tij, kandidati për president të Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nëse pas 4-5 vitesh Kosova nuk është në NATO, nuk janë liberalizuar vizat, nuk është njohur nga 5 vendet e BE dhe nuk është anëtarësuar në OKB, do të kërkonte referendum për bashkim me Shqipërinë.

Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili u shpreh se Serbia do të ketë “një përgjigje adekuate”, në rast të një referendumi për bashkim nga shqiptarët.