Shpati Lena dhe Hakim Xhezo janë viktimat e atentatit të ndodhur paraditen e së enjtes në Panaja të Vlorës. Ata janë emra të njohur për policinë, pasi janë përfshirë më parë në aktivitetet kriminale.

Lena ishte arrestuar në mars të këtij viti me dy persona të tjerë Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa ishin duke lëvizur me automjet në zonën e Ujit të Ftohtë, por më pas është liruar.

Dyshohet se atentatorët kanë qenë 3 persona; njëri në rolin e shoferit të mjetit ndërsa dy të tjerët në rolin e qitësit duke hapur zjarr me breshëri ndaj makinës së viktimave.

Disa minuta pas krimit, në Frakull të Fierit u gjet një makinë duke u djegur, që dyshohet se u përket atentatorëve të Vlorës.

Ngjashmëritë e atentatit në Vlorë me atë të Fushë-Krujës ku u vra Brilant Martinaj

Nga vëzhgimi dhe rindërtimi paraprak i dinamikës së ekzekutimit të dy personave në aksin rrugor Fier-Vlorë, që tronditi vendin paraditen e kësaj të enjte, policia ka vënë re një ngjashmëri të madhe në mënyrën e ekzekutimit me ngjarjen e ndodhur më 17 korrik te mbikalimi i Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë tre persona.

Së pari, ashtu si në rastin e Fushë-Krujës, edhe në mbikalimin e Panajasë, vendi i zgjedhur nga autorët për kryerjen e vrasjeve konsiderohet ‘pikë e errët’, pra që nuk ka asnjë kamerë që të filmojë dhe regjistrojë autorët.

Së dyti, nga rindërtimi paraprak i ngjarjes, policia beson se në të njëjtën mënyrë si te mbikalimi i Fushë-Krujës, edhe në vrasjen e dyfishtë të kësaj të enjteje në Vlorë, autorët kanë ndjekur shënjestrat e tyre për kilometra me radhë dhe kur kanë mbërritur te vendi i menduar për ekzekutimin e tyre kanë goditur.

Së treti, ngjashmëria lidhet me mënyrën e ekzekutimit. Edhe në këtë rast dinamika është e njëjtë, autorët janë futur në parakalim dhe nga dritaret anësore të mjetit të tyre dyshohet se kanë qëlluar me breshëri automatike të paktën dy persona.

Së katërti është saktësia e lartë në qitje e autorëve. Në rastin e Fushë-Krujës vetëm një predhë fisheku, nga rreth 90 të qëlluar u gjet jashtë makinës në të cilën mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Në ngjarjen e regjistruar këtë të enjte në Vlorë, policia është ende duke mbledhur provat, por nga pamjet e shpërndara shihet përqëndrimi i lartë i plumbave te xhamat e automjetit në të cilën udhëtonte Shpati Lena dhe Hakim Xhezo. Paraprakisht, dyshohet se ndaj tyre janë zbrazur të paktën 60 fishekë.

Së pesti, ngjashmëria mes dy ngjarjeve lidhet me mënyrën e arratisjes së autorëve. Ashtu si në rastin e Fushë-Krujës, edhe në këtë rast ata janë larguar vetëm pak kilometra nga vendi i ngjarjes dhe i kanë vënë flakën automjetit me të cilin kryen krimin. Policia tha më vonë se makina ishte me targa italiane dhe rezultonte e vjedhur një vit më parë. Brenda makinës u gjetën tre armë Kallashnikov.

Dallimi i vetëm mes dy ngjarjeve është numri i viktimave. Në Fushë-Krujë mbetën të vrarë 3 persona, ndërsa në atentatin e kësaj të enjte në Vlorë dy persona. Gjithsesi, në të dyja rastet viktimat rezultojnë persona me precedentë penalë në të shkuarën.