Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka sqaruar vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, sipas të cilës qeveria shqiptare duhet t’i paguajë 44 milionë euro kompanisë greke Copri Aktor për punimet që ajo ka kryer në rrugën Tiranë –Elbasan si dhe për prishjen e kontratës.

Sipas MIE, Kontrata për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan është lidhur në vitin 2012, kur në qeveri ishte Partia Demokratike.

Më pas kontrata vazhdoi kur ministrinë e transportit e drejtonte LSI.

Abuzimet me kontratat e rrugës Tiranë – Elbasan, u bënë të njohura për publikun në fillim të vitit 2018, kur pas denoncimit të kryer nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, organet e drejtësisë arrestuan tre zyrtare të lartë të MIE dhe ARRSH, të emëruar në këto pozicione nga LSI. Zbardhja e kësaj çështjeje nisi në muajin shtator 2017, pas ndryshimit të drejtimit politik të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe kontrolleve dhe auditeve të kryera për procedurat e realizuara.

Sipas MIE, Çështja e arbitrazhit në fjalë bazohet në:

Kontratën për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan, Segmenti nr. 1, deri në hyrjen e tunelit, km 13, të nënshkruar në 12 Shkurt 2012;

Kontratën për ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan, Segmenti nr. 3, nga dalja e Tunelit, km 15.2 deri në qytetin e Elbasanit, km 27, të nënshkruar me datë 13 shkurt 2012.

Gjithë çështja bazohet në pretendime të ngritura nga Kontraktori JV Copri Aktor në 17 Maj 2015, për kosto shtesë të krijuara gjatë punimeve në Segmentin 3. Kontraktori pretendonte për dëme të shkaktuara nga ARRSH deri në atë moment.

Përsa i përket Segmentit nr. 1, pretendimet nga Kontraktori janë ngritur në 11 Dhjetor 2015, për kosto shtesë të shkaktuara gjatë punimeve në Segmentin 1. Kontraktori pretendonte për dëme të shkaktuara nga ARRSH deri në atë moment.

Të dyja këto pretendime të ngritura në vitin 2015, janë ngritur dhe administruar gjatë gjithë periudhës kur Ministria e Transportit dhe ARRSH drejtohej nga LSI.

Në mënyrë që të mundësohej zhvillimi i një gjykimi mbi këto mosmarrëveshje, ARRSH nënshkroi dy amendime kontratash në muajin Korrik 2017 me kontraktorin JV Copri Aktor, që lejonin zhvillimin e gjykimeve me anë të një Bordi të posaçëm, që u ngrit posaçërisht.

Drejtori i Njësisë së Projektit Tiranë – Elbasan (Albens Alite) dhe ARRSH (Dashamir Gjika), në atë kohë e drejtuar nga LSI, nuk ndërmorën asnjë hap për mbrojtjen e interesave të shtetit në këto dy procese dhe nuk përfshinë as Avokaturën e Shtetit, si institucioni i krijuar me ligj për mbrojtjen e interesave të shtetit.

Me ndryshimin e drejtimit politik, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në shtator dhe tetor 2017 kërkoi realizimin e auditeve financiare në ARRSH për këto problematika. Auditet e realizuara nga MIE dhe MFE, gjatë dhjetorit të vitit 2017, shpallen si jo të ligjshme dhe në tejkalim të kompetencave amendimet e kontratave të realizuara nga ARRSH. Mbi bazë të këtyre gjetjeve u bënë edhe kallëzime në prokurori për drejtuesin e Njësisë së Menaxhimit të Projektit dhe ARRSH, ku nga ana e Prokurorisë u bënë edhe arrestimet përkatëse.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të zbardhur këtë çështje, si dhe ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar me drejtësinë, për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore, autorët e kësaj çështjeje, thuhet në njoftim.