Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur hetimet për shefin e komisariatit të Divjakës Altin Shehu, të cilin e ka kallëzuar qytetarja Elisa Bita se është dhunuar prej tij.

Në një njoftim për shtyp, bëhet me dije gjithashtu se edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka urdhëruar hetim administrativ.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot paradite në Divjakë, ku një shtetase pretendon se është dhunuar nga drejtuesi lokal i Policisë, sqarojmë se: Nën drejtimin e Prokurorisë, SHÇBA po kryen veprime hetimore mbi gjithë rrethanat. Ndërkohë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Në fund të gjithë veprimeve hetimore administrative dhe verifikimeve të tjera nën drejtimin e Prokurorisë, do të bëhen publike rezultatet dhe masat e marra mbi rastin. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të përmbushur çdo detyrim ligjor, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë e të qetë, si dhe rend e siguri publike”, thuhet në njoftimin e SHÇBA.