Greqia dhe Shqipëria do nënshkruajnë së shpejti marrëveshjen për dërgimin e çështjes së ndarjes së detit Jon në Hagë. Lajmi i bë i ditur nga kryeministri Qiriakos Mitsotakis pak para miratimit të projektligjit për zgjerimin e Greqisë në Detin Jon me 12 milje detare.

“Për herë të parë Greqia rritet me më shumë se 10% jo me pushtim, apo në dëm të shteteve të tjera , por në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, ka deklaruar kryeministri Mitsotakis, duke iu referuar deklaratës se kryeministrit Edi Rama se ishte e drejta legjitime e Athinës ta kryente këtë proces, ashtu siç e ka kryer edhe Shqipëria para 30 vitesh.

Sipas kreut të qeverisë greke, pakti për ta zgjidhur përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare do të nënshkruhet së shpejti nga dy kryeministrat dhe ministrat e jashtëm.

“Në këtë periudhe të vështirë ministri ynë i Jashtëm bashkëpunoi me kryeministrin shqiptar dhe tashmë çdo mos dakordësi e përbashkët me Tiranën shkon drejt organizmave gjyqësore ndërkombëtare. Jo shumë kohë me parë, kryeministri shqiptar deklaroi qartë dhe pa mëdyshje se zgjerimi me 12 milje përbën një të drejtë të pamohueshme të Greqisë duke shtuar edhe një argument tjetër në favorin tonë se ujerat e Mesdheut mund të bashkojnë dhe jo të ndajnë popujt”, tha Mitsotakis.

Votimi nga shumica e deputeteve që e kanë quajtur këtë ditë historike, ka ardhur si rezultat i një sërë lëvizjesh të rëndësishme diplomatike dhe strategjike që ka bërë Greqia, ka thënë Mitsotakis, duke ju referuar marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin për ZEE, por edhe bisedimeve të shpeshta me kryeministrin Rama dhe rënien dakord që të apelohet në Hagë për ZEE midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Greqia ka zgjeruar ujërat e saj territoriale, pra ka ulur kështu ndjeshëm objektin e mosmarrëveshjes sonë me Shqipërinë në lidhje me përcaktimin e ZEE dhe kemi rënë dakord në parim, Z. Dendias me homologun e tij dhe unë personalisht me Z. Rama, që do të jemi në gjendje të nënshkruajmë një deklaratë të përbashkët, për të shkuar në një gjykatë ndërkombëtare për të zgjidhur këtë çështje te mbetur pezull midis nesh”, shtoi ai.

Nga Shqiëpëria nuk ka patur deri më tani asnjë reagim dhe i vetmi lajm i konfirmuar nga kryeministri është se dy vendet po punojnë për hartimin e dosjeve që do të çohen në Hagë. Por kjo marrëveshje do të duhet të marrë miratimin presidentit të Republikës, Zotit Ilir Meta, i cili i ka dhënë deri më tani plotfuqishmërinë qeverisë vetëm për bisedimet me Greqinë. Rama do të duhet të krijojë një ekip negociator për Hagën, i cili po ashtu do të duhet të miratohet nga Meta.

Mediat greke raportonin disa ditë më parë se diplomatët grekë po përpiqen të krijojnë një raport më të ngushtë me presidentin Meta, i cili është tepër skeptik për negociatat e deri tanishme mes kryeministrave Rama-Mitsotakis, duke kundërshtuar zgjerimin me 12 milje të Greqisë në detin Jon.

Angelos Syrigos, profesor i shkencave politike dhe deputet i partisë konservatore në pushtet shkruan sot në një opinion për gazetën “Ekathimerini” se Athina po lëviz të gjithë gurët për t’i bërë presion Shqipërisë që ndarja e detit të çohet në Hagë përpara se 25 prillit.

“Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në Shqipëri në prill, e deri atëherë duhet të bëhet kërkesa jonë e përbashkët për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, shkruan Syrigos. “Është e vështirë të thuash nëse do të kemi qartësi deri nga zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Por unë nuk mendoj se çështjet të tilla do të zgjidhen përpara zgjedhjeve”, thekson ai.

Por një pengesë për planet e Greqisë është Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Marrëveshja që pritet në nënshkruhet midis Greqisë dhe Shqipërisë për dërgimin e kësaj çështjeje në Hagë është e pavlefshme nëse nuk merr plotfuqishmërinë nga presidenti Meta. Por presidenti ka deklaruar vazhdimisht se Rama po shet interesat kombëtare përballë Greqisë, duke kërkuar më shumë informacione lidhur me marrëveshjen që ka mes dy vendeve për hapësirën detare në Jon.

“I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar”, shprehej Meta më 28 dhjetor.

Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën e Hagës u ra dakord gjatë vizitës së muajit tetor në Tiranë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias. Dendias përshëndeti dakordësinë e gjetur gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama, ndërsa një ditë më vonë njoftoi nga Athina se adresimi i çështjes tek Gjykata Ndërkombëtare do të bëhej pasi Greqia të zgjeronte ujërat me 12 milje.

Zgjerimi me 12 milje interpretohet nga Greqia si zonë ekskluzive e saj, përfshirë këtu edhe burimet e mundshme të gazit dhe naftës që mund të gjenden në tabanin e detit brenda këtij territori.

Me zgjerimin dhe me mosklasifikimin si gjire të mbyllura të gjireve në ishujt e Greqisë, përcaktimi i zonave ekskluzive ekonomike mes dy vendeve do të niste nga distanca e 6 miljeve dhe me vijë të lakuar sipas gjireve. Por, me ndryshimet në fjalë diskutimet për zonën ekskluzive ekonomike mund të nisin nga 12 milje për palën greke, me gjire të mbyllura dhe vijë të drejtë, që mund të bjerë ndesh me Konventën Ndërkombëtare të OKB-së përmes njësoj të ishujve grekë me dheun kontinental shqiptar.

“Thembra e Akilit” është zona që ndodhet mes Korfuzit dhe ishujve grekë të Othonoit dhe Erikuzës. Në këtë zonë, në ujërat territoriale të saj, Shqipëria ka të përcaktuar bllokun e kërkimit të hidrokarbureve “Joni 5”, ndërsa Greqia ka të përcaktuar bllokun “Joni 1”, në pjesën e ujërave të saj territoriale. Studime të ndryshme të ndërmarra ndër vite në të dyja këto zona, flasin për rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.

Deri më tani madhësia gjeografike e bllokut grek shtrihej vetëm në 6 milje nga bregu. Me dyfishimin e kësaj hapësire, ky bllok mund të zgjerohet pothuajse dyfish në Perëndim.

Por, përfitimi më i madh lidhet me zonën Ekskluzive Ekonomike, ose hapësira detare e njohur nga Konventa e OKB-së për Ligjin e Detit, ku një vend i caktuar ka të drejtë ekskluzive të ushtrojë të gjitha aktivitetet, që nga peshkimi dhe deri tek kërkimi i naftës dhe hidrokarbureve në shtratin e detit. Kjo zonë mes Shqipërisë dhe Greqisë mbetet e papërcaktuar.

Manovra greke për t’u zgjeruar në Jon me 12 milje në drejtim veri-perëndim, duke marrë si pikë nisjeje ishullin e Othonoit i jep akses në Kanalin e Otrantos. Në këtë kanal është projektuar kalimi i një segmenti të gazsjellësit “East Med”, që nis nga Izraeli dhe përfundon në Itali.

Me këtë vendim, Greqia përfshin në ujërat e saj një pjesë të mirë të kalimit të këtij gazsjellësi dhe nëse kërkimet dhe nxjerrja e naftës dhe e gazit në dy blloqet joniane rezulton e suksesshme të ketë nën kontroll edhe infrastrukturën e transportit të tyre po në drejtim të Italisë. Pra, në një rast hipotetik, Greqia do të kontrollonte në të ardhmen rrugën më të shkurtër të transportit të naftës dhe gazit që mund të nxjerrë Shqipëria nga blloku “Joni 5”.