Pas deklaratës që Agjencia Europiane e Barnave bëri në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin që ofron vaksina AstraZeneca, shtetet që e kanë pezulluar do të rinisin vaksinimet.

Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja kanë bërë të ditur se do të rinisin përdorimin e vaksinës. Suedia tha se i duhen disa ditë për të vendosur.

Në Francë ishte kryeministri Jean Castex që konfirmoi lajmin, i cili mes të tjerash bëri të ditur se qeveria do të vendosë qytetin e Parisit në izolim për shkak të rasteve të infektimit.

Edhe në Gjermani, ministri i Shëndetësisë Jens Spahn njoftoi një vendim të ngjashëm.

“Vendimi i EMA-së konfirmon sigurinë dhe cilësinë e vaksinës së “AstraZeneca”. Ky është një lajm i mirë”, u shpreh Jens Spahn, ministër i Shëndetësisë në Gjermani.

Në të njëjtën linjë, kryeministri britanik Boris Johnson ka konfirmuar vijimin e fushatës së vaksinimit dhe ka deklaruar se të premten do të jetë i pari që do të bëjë injektimin.

Edhe Spanja do të rifillojë administrimin e vaksinës së kompanisë anglo-suedeze duke nisur nga e mërkura e ardhshme.

Ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias tha se, vendimi i Agjencisë Evropiane të Barnave tregon se përfitimet janë më të mëdha se rreziqet.