I dashur z. Vladimir Zelenski!

Imitimi i veshjeve të një personi të njohur si Luli Basha nuk është mjaftueshëm për të fituar edhe ju një status të rëndësishëm si të atij.

Më vjen keq që jua them, por ju gaboheni shumë kur mendoni se veshja e një bluze të ngjashme me atë të Lulit, ju bën juve automatikisht trim, të mençur e me një personalitet burrëror si ai.

Në fakt, veshja e një bluze të ngjashme me atë të dikujt, nëpërmjet asaj që quhet kujtesa e fqinjësisë, mund të shkaktojë tek të tjerët vetëm ndonjë përshtypje të jashtme… Por, siç thamë, kjo, ngjashmëria me imazhin e një personi tjetër, nuk të bën dot si ai. Identiteti është më shumë se veshja dhe përbëhet nga një kombinim i shumë faktorëve, duke përfshirë këtu edhe personalitetin, sjelljen, veprat dhe ndikimin në jetën e të tjerëve.
I dashur Zelenks!
Unë e kuptoj pse e bëni këtë. Ju e imitoni në veshje Luli Bashën se doni t’u tregoni botës se edhe ju jeni një njeri i amerikanëve si ai…
Sigurisht, veshja juaj si e Luli Bashës mund të arrijë ta përcjellë këtë kumt dhe, njëkohësisht, t’i kallë datën Putinit, por ky veprim nuk ju nderon aspak kur bëhet në kurriz të një tjetri… As më shumë e as më pak, kjo cenon seriozitetin e amerikanizmit të Luli Bashës.
I dashur Zelensk!
Sigurisht, ju jeni i lirë të përpiqeni ta imitoni Luli Bashën në gjëra të tjera, siç keni bërë dikur në fushën e aktrimit… Por, mos harroni! Ndryshe nga Luli Basha që mbetet edhe sot e kësaj dite aktori komik më i madh i skenës reale të politikës shqiptare, ju keni kohë që keni hequr dorë nga aktrimi nëpër filmat komikë të Ukrainës.
Mjaft e kopjuat Lulin tonë, i dashur Zelensk!
Imitimet dhe plagjiaturat nuk të çojnë gjëkundi dhe jo më, drejt një fitoreje si ajo e Luli Bashës dje në krye të PD-së. Dy jetë të keni, 16 196 vota, ju nuk i merrni dot kurrë.

Harroje, i dashur Zelensk!

 

 

Miqësisht Juri Gagakim.

Tiranë, 30 korrik 2023