Prof. Dr. Gjergji Foto është një nga zërat më profesionistë në fushën e gjeologjisë së naftës në Shqipëri. Në lidhje me premtimet e Kryeministrit Edi Rama (që janë të varura nga rezultati i pusit Shpiragu-5) nē FB e tij, sot ai ka hedhur këto radhë:

Çfarë po mendoj…? Sot, sapo refuzova një propozim të një media televizive për të më marrë në intervistë për problemet e naftë mbajtjes së zonës së Shpiragut. Është propozimi i pestë që kthej nga pesë media të ndryshme televizive, duke filluar nga data 25 gusht, pas konferencës së shtypit të zotit Kryeministër dhe zëvendëses së tij, njëherësh ministrja e Infrastrukturës etj. emra të ministrisë më pas. Konferencën për lajmin e dëgjova, por mendja më mbeti te deklarata e tyre se me rezultatet e atij pusi, që përfundon testimin diku nga fundi i tetorit, do të krijohej mundësia e rritjes pensioneve (të vetmet që nuk u rritën pas rritjes që i u bë administratës shtetërore, deputetëve etj., madje, do të themelohej një Fond sovran etj. etj. etj.)…

Shumë premtime të varura nga rezultati i pusit Shpiragu-5. Ne, që jemi të “zanatit” dhe e kemi provuar këtë ndjenjë të pritjes së rezultatit të testimit, pas të cilit jemi zhgënjyer me dhjetëra herë, dhe jo vetëm ne, por kjo ndodh në kërkimet e naftës në gjithë botën, edhe unë me ta, nuk do ta bënim kurrë këtë premtim, thamë me vete: Mooos! Ishtë njësoj si ai premtimi që i bëri burri të shoqes, se kur të vinte nga pazari i qytetit, do t’i blinte dhe sillte një fustan të bukur, dhe gruaja pa e zgjatur, zhveshi çfarë kishte veshur dhe i hodhi në zjarr. Natyrisht vendosi të priste të shoqin me fustanin e ri, por mbeti lakuriq! Pak a shumë, këtë qëndrim mbajta dhe shkrova diçka në FB. Gazetarët e shkathët, e kapën këtë mendim dhe më ftuan ta thosha hapur në median televizive, por nuk e dija se ishte drejtpërdrejt në lajme për dhjetë minuta. Si duket ky mendim, tërhoqi vëmendjen dhe një media tjetër, më ftoi e më la në dispozicion afro 45 minuta, gjatë të cilave unë shpalosa të gjithë përvojën time lidhur me këtë problem, por gjithmonë mbështetur në përvojën e gjatë të kërkimeve në vendin tonë, me rastet konkrete por edhe teorike. Dhe pas kësaj ndodhi çudia; filluan kërkesat e njëpasnjëshme të mediave të ndryshme, të paktën pesë prej tyre, të cilat me argumentin se ato që dija i thashë dhe nuk kam arsye të përsëris veten time në disa dhjetëra media televizive që janë në aktivitet në vendin tonë. Dhe kjo më duket më se normale. Po të pranoja të shkoja te të gjitha, do të dukesha si papagalli, që mbush programet e mediave televizive dhe sot, nga lajmi, bëhen rreth gati dy javë.
Mund të jenë bërë disa dhjetëra të intervistuar nga të gjitha kategoritë e profesioneve, që nëpërmjet thashethemeve, pa njohur asgjë nga puna e përvoja, ca duke gënjyer dhe hequr si ekspertë, që nuk përtojnë të mbushin gjithë ekranet dhe me prezantime absurde, deri ekonomistë, politikanë, gjithologë që nuk përtojnë të flasin për gjithçka që shohin rreth e qark tyre, nuk bëjnë gjë tjetër, nuk ndihmojnë dëgjuesit të qartësohen, por hallakaten pa mësuar se si qëndron e vërteta.