Sër Aleks Ferguson ka pasur mundësinë të stërvitë kampionë të mëdhenj në karrierën e tij të gjatë te Mançester Junajtid. Por pak i kanë shpëtuar ashpërsisë së tij. Ulërimat e skocezit pak centimetra para fytyrës i kanë provuar edhe Bekham, Gigs dhe Runi. Dikush ia ka dalë gjithmonë ta evitojë këtë situatë dhe të zërë një vend në zemrën e një trajneri fuqiplotë si Ferguson.

“Don’t touch my CR7 (mos ma prek CR7”, – i ka thënë një gazetari dikur trajneri i Mançesterit, gjithmonë në mbrojtje të portugezit, siç tregon vetë gazetari anglez, Geoff Shreeves, i cili për vite me radhë kanë qenë në fushë për “Sky Sports” dhe ka pasur mundësinë të komunikojë dhe debatojë shpesh me Fergusonin.

Gazetari Shreeves, Ronaldo dhe Ferguson

Dhe duke folur për “Times” në lidhje me eksperiencën e tij, ai kujton momentin kur Sër Aleks për pak sa nuk i vuri duart në fyt, pasi gazetari dyshoi se Ronaldo ishte hedhur në zonë për të marrë një penallti. “Zënka më e madhe në fushë me Fergin? Sigurisht, ajo për hedhjen e Kristiano Ronaldos për të marrë penallti ndaj Midëllsbrout. Patëm një debat dhe për pak situata na doli nga duart në tunel.

Ferguson më erdhi afër, por nuk arriti të më godiste, sepse kishte persona të tjerë mes nesh. Sidoqoftë, ai kishte të drejtë, më pas biseduam në mënyrë civile, sqaruam gjithçka dhe nuk folëm më më pas”, – tregon gazetari anglez. Vështirë të kuptohet, nëse Ferguson u nxeh, sepse po akuzohej një nga të tijtë, apo sepse në mes ishte Kristiano Ronaldo. Por, që portugezi, bashkë me Skolls, ishin dy nga të përkëdhelurit e tij, nuk ka asnjë dyshim.

Edhe kur Kristiano iku nga Mançesteri nuk kanë munguar kurrë deklaratat e vlerësimit nga ana e trajnerit, sidomos pasi portugezi fitonte “Topat e Artë”, apo ndonjë finale Championsi. Kështu, rrëfimi i Shreeves është befasues, por deri në një farë pike. Edhe CR7 gjithmonë ka thënë se Sër Aleks është si një baba i dytë për të. Skocezi e ka mbrojtur gjithmonë me “shpatë”… djalin e tij.