Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se vendi nuk mund të mbyllet për një kohë të gjatë si pasojë e pandemisë dhe për këtë arsye iu bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjshmëri dhe të respektojnë masat anticovid.

“Është e pamundur që për një kohë të gjatë të mbyllet vendi. Këto zgjidhje nuk janë ideale. Me atë çfarë kemi ditur kemi bërë më të mirën. Sa i përket personelit shëndetësor ne jemi pafundësisht falënderues, por për pagat e tyre ne kemi për shtesë solidariteti për 10 për qind. Tash nuk është situata kur punonjësit shëndetësorë janë në rrezik siç ishte vitin e kaluar ndërkaq për punën shtesë patjetër që do të kompensohen”, u shpreh Kurti.

Deklarata e kreut të qeverisë erdhën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për situatën me pandeminë, duke qenë se numri i viktimave nga koronavirusi në Kosovë është rritur me përmasa të frikshme.

Kurti paralajmëroi reagim nga autoritetet dhe kontrolle të shtuara në të gjitha ambientet në lidhje me respektimin e masave anticovid.

“Jemi në një pikë kritike. Ata që janë vaksinuar, nëse nuk janë të kujdesshëm bëhen super-shpërndarës, ndërkohë që vetë janë të sigurt janë bartës e përhapës të virusit. Pikërisht, ne që jemi të vaksinuar duhet të jemi edhe më përgjegjës seç ishim në të kaluarën”, tha Kurti.

Sipas të dhënave, që prej 13 marsit 2020 e deri më 29 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 142.671 raste me koronavirus dhe 2.457 viktima. Ndërkaq, sa i përket fushatës së vaksinimit, Kosova ka administruar 808.078 doza, ku 269.312 persona janë vaksinuar me të dy dozat.