Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ishte sot i pranishëm në Kuvend, pavarësisht se disa ditë më parë garantoi se do të rikthehej në seancën e parë plenare të këtij viti.

I ftuar në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus, Berisha sqaroi se arsyeja e mungesës së tij në Parlament ka qenë fjalimi i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Ish-kryeministri u shpreh se shkak është bërë një kontradiktë mes tij dhe presidentit turk vite më parë për shkak të një mosdakordësie për çështjen e Palestinës.

Berisha zbuloi se Erdogan i kishte kërkuar në mënyrë jodiplomatike që të ndryshonte votën e tij në OKB për çështjen e Palestinës.

“Mungova sot sepse gjykova që nuk duhet të isha i pranishëm në fjalën në Parlament të presidentit të Turqisë, Erdogan. Unë jam njeri që respektoj shumë Turqinë dhe kombin turk, por unë kam patur kontradikta të hapura me presidentin Erdogan në vitet e fundit të qeverisjes nga unë, ku nuk kam pranuar të ndjekë apo të votojnë në OKB rezoluta që binin në kundërshtim, në vlerësimin tim, me qëndrimet që mbanin SHBA dhe vendet e mëdha për çështjen e Palestinës. Shqipëria është nga ato të pakta vende që ka një ambasadë të Palestinës prej vitesh, por asnjëherë nuk u vendos në diskutim prania e saj në Tiranë.

Rezoluta me të cilin u ndava me Erdogan ishte një përpjekje për të përjashtuar rolin e SHBA në zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme. Ishte përpjekje për ta salduar edhe më tej atë krizë. Dy vite më pas, mu kërkua në mënyrë jodiplomatike që të ndryshoja votën, unë nuk e bëra. Atë e premtoi Edi Rama, dhe ai ndryshoi qëllimin e Shqipërisë. Më mori në telefon (Erdogan) në një moment feste. Në një kohë kur diplomacia turke nuk kishte thënë asnjë fjalë dy vite më radhë. Kisha marrë vesh nga ambasadori palestinez që Erdogan ishte i zemëruar nga kjo. Ai insistoi që unë të ndryshoja qëllimin. Por, ajo që mund të bëja ishte të abstenoja, por nuk do të votoja kurrë për atë rezolutë. Unë bëra të qartë se Shqipëria nuk mund të jetë një vend në sferën e influencës së Turqisë.”