Presidenti Ilir Meta deklaroi në Çim Peka LIVE se nuk u takua me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan pasi ai ishte i ftuar nga qeveria dhe nuk u kërkua takim me presidentin.

“Ai ishte i ftuari i qeverisë dhe është sjellë si i ftuari i saj.

Nuk mund të them se si është protokolli. Marrëdhëniet me Turqinë kanë qenë, janë dhe do të jenë shumë të mira edhe kur ne të mos jemi në këto poste.

Asnjëherë nuk e kam pasur shqetësimin se nuk do jemi pjesë e protokollit. Mos u merrni me këtë, merruni me inceneratorët dhe çështje të tjera. Këto janë kurthe që bëhen për të shmangur vëmendjen.

Unë nuk ndjehem fare i fyer sepse nuk ka qenë i ftuar nga unë. Ai ka disa funksione, është president, por edhe kryetar qeverie, edhe kryetar partie,” tha Meta.

Meta ka theksuar se sot ka qwnë një ditë shumë e jashtëzakonshme dhe i angazhuar në shumë aktivitete për të nderuar kujtimin e paharruar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Sot ka qenë një ditë shumë e jashtëzakonshme për mua, i angazhuar në shumë aktivitete për të nderuar kujtimin e paharruar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nuk kam arsye të kem ndonjë keqardhje që nuk kam takuar z.Erdogan. Z. Erdogan ka qënë i ftuar i qeverisë dhe është sjellë si i ftuar i qeverisë. Uroj të ketë kaluar sa me mirë në Shqipëri. Nëse do kërkonte një takim sot do bëja një sforcim për ta takuar sepse kam pasur një axhende vërtet shumë të ngarkuar, por nuk ka kërkuar takim. Z. Erdogan nuk ka qenë i ftuar nga unë.

Doja të falenderoja me shume mirënjohje popullin turk për ndihmat bujare që i kanë dhënë popullit shqiptar.

Kam patur një ditë shumë të mirë sot. Në kalendarin tim 17 janari, 2 marsi dhe 28-29 nëntori janë data shumë të rëndësishme. Nuk kam asnjë koment për vizitën e z. Erdogan sepse siç ju thashë jam shumë i lumtur që axhenda ime sot ka qenë plotësisht e fokusuar tek përkujtimi i veprës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha Meta.