Kryeministri Edi Rama komentoi listat e kandidatëve për deputetë që partitë politike dorëzuan të hënën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Pasi lavdëroi listën e Partisë Socialiste, ai sulmoi atë të partive të opozitës. “Jam i bindur që kjo është e vetmja mënyrë që një parti politike t’i rezistojë kohës dhe të jetë konkurrente. Lista e Partisë Socialiste është fuqia dhe ndryshimi, lista e PD është afirmimi i fosilizimit”, tha Rama.

“Skuadra e PD-së është zhgënjyese edhe për mua. Nuk besoj që ky ishte maksimumi që mund të bënte PD-ja, pavarësisht situatës absolutisht të vështirë ku ndodhet për shkak të një lidershipi pa karakter. Ndërsa për listën e LSI-së nuk dua të humbas kohë, ajo është lista e SPAK dhe OFL”.

“Qytetarët e Tiranës kanë mundësi të zgjedhin midis Luljeta Bozos dhe Sali Berishës. Nuk ka asnjë në moshën e pensionit përveç tij në PD. Ai do të përfaqësojë pensionistët? Për t’i marrë pensionistët dhe për t’i nxjerrë të djegin palma? Nuk është çështje emrash, por është çështje e një fenomeni. Luli në krye të listës, pasi dhëndri vihet në ballë dhe të gjithë i shkojnë nga pas. Katastrofë. Më interesantja është që në PD nuk ka asnjë prurje të re përveç Agron Gjekmarkajt. Është një kontribut i PD-së që largon nga klubet e natës mediatike një faktor turbullues, por nuk është një akt serioz për demokratët e Lezhës”, shtoi Rama.