Naftëtarët e Ballshit protestuan të mërkurën për shkak të mosfillimit të punës në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës, KPTHN në këtë qytet, ku si pasojë vazhdojnë të mbeten pa u paguar prej muajsh.

Kryetari i sindikatës së punonjësve të rafinerisë së Ballshit, Sokol Dautaj pohon për BIRN se, edhe kompania e Allum Enterprises, që së fundmi ka marrë në administrim KPTHN-në e Ballshit vazhdon me negocime, por pa dhënë zgjedhje përfundimtare për naftëtarët.

“Kemi pasur kontakte me përfaqësues të kompanisë Allum Enterprises prej 3 muajsh dhe kemi qenë duke përpiluar kontratat. Por për shkak të zvarritjes, jo vetëm më këtë kompani, por edhe të mëparshmet që e kanë administruar rafinerinë, është krijuar klima e mosbesimit të naftëtarët. Nuk mund të ketë zvarritje pa fund për rifillimin e punës dhe mos shlyerjen e pagave, nuk pranojmë më”, pohoi Dautaj i cili sqaroi se nga Allum kërkojnë vetëm tre pagat e fundit pasi për të tjerat që mbeten të prapambetura do t’i drejtohen gjykatës.

Dautaj thotë se protesta dhe kërkesat e tyre janë vetëm për arsye ekonomike. “Duke qenë se pas pak ditësh nis shkolla dhe nevojiten shpenzime për fëmijtë, naftëtarët janë vendosur edhe më shumë në vështirësi ekonomike. Jemi prej 9 muajsh në rrugë dhe askush nuk na jep zgjidhje. I kemi kërkuar edhe kompanisë që administron tani rafinerinë një zgjidhje, por situata është ende e paqartë. Presim përgjigje deri të hënën e ardhshme”, pohoi Dautaj. “Nuk jemi fajtorë ne punëtorët, por janë ata që delegojnë kompanitë dhe njerëzit e gabuar për të menaxhuar uzinën”, anohet ai.

Kompania Allum Enterprises ishte e pa arritshme për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Allum Enterprises është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më datë 17 gusht 2017 me një kapital aksioner prej 4 milionë lekësh. Fillimisht nën pronësinë e një kompanie me bazë në Skoci, iu shit një kompanie të regjistruar në Zvicër me emrin Mercado Exterior. Administratori i ri i kompanisë është Yusif Abdullah Oglu Ayyubov, një azerbajxhanas me pasaportë kroate. Aksionerët e kompanisë nuk njihen.

Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se Bankers dhe Allum kishin arritur marrëveshje për rifillimin e punës në KPTHN-në e Ballshit, por sipas naftërarëve një gjë e tillë nuk është realizuar ende.

Pasi kaloi dorë më dorë që pas privatizimit të dështuar të vitit 2008, rafineria e Ballshit u mor në administrim në mars 2018 nga kompanitë Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat janë në pronësi të dy kompanie zvicerane, CFD Conseils Sarl dhe PGFS Pilotage & Gestion S. Naftëtarët shprehen se po hasin vështirësi për të gjetur zgjidhje konkrete edhe me kompaninë Allum Enterprise që ka blerë ish-ARMON pak muaj më parë.