Është ndarë nga jeta në një spital të Athinës aktori nga Saranda Anastas Nika.

Anastas Nika vuante prej një viti nga një sëmundje e rëndë.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, familjes dhe donacioneve të mbledhura për kurimin e tij, aktori Anastas Nika nuk ka mundur të fitojë betejën me sëmundjen.

Anastas Nika ka realizuar me shumë profesionalizëm dhe pasion rreth 130 role në skenë, kinema dhe televizion.

Ka interpretuar në vepra të mëdha klasike si: “Mbreti Lir “ (Shekspir), ‘’Shtrigat e Salemit” (Artur Myler), “Mikroborgjezët “ (Maksim Gorki), “ Antigona ( Sofokliu),” Njeriu që pa vdekjen me sy “( Viktor Eftimiu),’’ Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq” ( Dario Fo), “Ditari i një të çmenduri “ (Nikollaj Gogol), “Fejesa “ ( Anton Çehov), “Burri i gruas sime “ (Miro Gavran, kroat), e tjera. Është shquar në interpretim në disa filma si: “Ugolini”, “Dritat e qytezës”, “Një zemër në dy jete”, ”Mysafiri” si dhe “Amnisti” (ky i fundit ka arritur deri në nominim për çmimin “Oscar”) .

Anastas Nika është shquar në veprimtarinë kreative duke shkruar e vënë në skenë, si regjisor, mbi 70 vepra e shfaqje të gjinive dhe llojeve të ndryshme si: komedi, ndërmjet tyre: ”Dhëndëri nga Amerika”, “Amaneti i Nënës”, ”Marrëzia e një të mençuri” e tjerë; libretë estrade, spektakël për misse, sfilata modash, festival e veprimtari për fëmijë, veprimtari folklorike, teatro poetikë si: “Nëntoriada” -“Skënderbeu”….”Nëna e gjithë Botës”, show artistike : ” Syri jeshil në kohë të tretë “, ”Krijimi i Partisë lakuriqe”, “ Nastradini viziton Sarandën ”, “Sheshet në qiell” etj.

Me këtë rast i shprehim ngushëllime familjarëve dhe gjithë miqve të të ndjerit.