Michael Gahler, zëdhënësi i Punëve të Jashtme në Grupin e Partive Popullore Europiane në PE

Pas ndryshimit të Kushtetutës, grupimi i PPE ndan të njëjtin rekomandim për klasën politike shqiptare se ajo duhet të vijojë punën në Këshillin Politik për implementimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Michael Gahler, zëdhënësi i Punëve të Jashtme në Grupin e Partive Popullore Europiane në Parlamentin Evropian, shkruan përmes një postimi në Facebook se votimi i ndryshimeve kushtetuese, ndryshoi në mënyrë arbitrare rregullat e lojës elektorale.

Për ata miq të Facebook që kanë një interes të veçantë për Shqipërinë, Michael Gahler shkruan:

“Unë i gjykoj me shumë keqardhje dhe vë në diskutim qëllimet e vërteta që Partia Socialiste e cila qeveris Shqipërinë, theu konsensusin e arritur ndërkombëtarisht me opozitën dhe dje ndryshoi në mënyrë të njëanshme kushtetutën.

Nuk mund të jetë e pranueshme për askënd që qeveria Rama e cila dëshiron negociatat e pranimit me BE të ndryshojë në mënyrë arbitrare rregullat e lojës elektorale.

Nëse kjo qeveri i do sinqerisht negociatat e pranimit me BE, si mund të mos pranojnë këshillat e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare përkatëse për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë?”.

Gahler nënvizon se grupi i PPE do të vëzhgojë me kujdes veprimet e ardhshme në lidhje me Kodin Zgjedhor dhe do të nxisë me forcë që të arrihet konsensusi me opozitën brenda Këshillit Politik.

“I takon partive dhe qytetarëve shqiptarë të mbrojnë demokracinë dhe perspektivën e tyre evropiane”, thotë ai.