Ambasadorja e SHBA në Tiranë ka komentuar ndryshimet e fundit në qeveri. Në mediat sociale, Kim deklaron se mirëpret këto ndryshime dhe shpreson që të vijohet bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në fushën e diplomacisë dhe mbrojtjes.

Kim thekson se është e bindur se Xhaçka dhe Cakaj do të çojnë përpara punët e nisura në të dy dikasteret.

“Faleminderit Gent Cakaj për të gjitha përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë, përfshirë si aleatë të NATO. Miqësia midis dy vendeve tona forcohet prej liderave të tillë. Urojmë suksese në të gjitha përpjekjet në të ardhmen. Faleminderit!

Mirëpresim emërimin e Olta XHaçkës si ministre e Jashtme. Ka qenë një partnere e jashtëzakonshme në forcimin e marrëdhënieve të mbrojtjes midis SHBA-së dhe Shqipërisë dhe në rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë si aleat i NATO.  Shpresojmë të punojmë në vijim për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet tona diplomatike.

Mirëpresim emërimin e Niko Peleshit si Ministër i Mbrojtjes. Shpresojmë të bashkëpunojmë në vijim për t’u siguruar që SHBA dhe Shqipëria të vazhdojnë të jenë miqtë më të mirë, partnerë dhe aleatë në NATO”, shkruan Kim.

Reagim i ambasadores vjen pas zyrtarizmit nga kryeministri Edi Rama se Cakaj do të largohet nga Ministria e Jashtme dhe do të zëvendësohet nga Olta Xhaçka. Po ashtu Rama njoftoi se Niko Peleshi do të marrë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes.