Ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj akuzave të Lulzim Bashës për 21 janarin. Lideri historik i PD tha se ka qëndruar në zyra gjatë gjithë protestës së opozitës dhe zyra u qëllua me gurë dhe plumba. Berisha ngriti pikëpyetjen se ku ka qenë Lulzim Basha, atëherë ministër i Brendshëm, gjatë protestës së dhunshme.

“Unë kam qenë duke drekuar me ambasadoren gjermane dhe jam kthyer e nuk kam lëvizur nga zyra për asnjë moment. Ka edhe një fakt tjetër që zyra është qëlluar me plumba dhe gurë. Se ku ka qëndruar Lulzim Basha nuk e di. Ministri i Brendshëm është bërë skllav dhe peng i Edi Ramës. Tregon narrativën e tij. Për 21 janarin gjithçka kam ditur e kam thënë dhe e them. Për ’97? Ai lexoi atë pjesë që i çoi Rama me Endri Fugën”, tha Berisha në ‘Opinion’.

“Më thanë do arrestohet, por s’e besova”, Berisha tregon përse ndryshoi qëndrim për dosjen Muzin

Sali Berisha thotë se qëndrimi i tij nuk ndikohet nga asnjë tjetër përveçse nga ajo që konsideron të vërtetë. Në këtë kontest, ai shpjegoi në “Opinion” përse e kishte mbrojtur Bashën sa i përket dosjes Muzin, deri një muaj më parë.

“E mbrojta deri në momentin kur kam mësuar para 1 muaji se Muzin ka ndërruar dëshminë sepse fillimisht Muzin nuk ka deklaruar për Bashën dhe unë gjëra të pa deklaruara nuk mund të pranoja. Qëndrimi im, të jesh i sigurt nuk ndikohet kurrë nga gjë tjetër, përveçse nga ajo që unë konsideroj si të vërtetë. Më kanë marrë në telefon miq të mi nga Uashingtoni dhe më kanë thënë do prangoset Lulzim Basha dhe unë kam thënë se nuk është e vërtetë sepse ato dija dhe kur mora vesh se dosja ka ardhur dhe dosja nuk është dorëzuar në Prokurori, sipas një raporti, unë përsëri nuk e kam të vërtetuar, por raport i huaj është, atëherë unë e konsideroj atë të marrë peng”, tha Berisha.