Në mesin e tensioneve me Perëndimin, presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko do të takohet sot në qytetin Sochi në Rusi me homologun Vladimir Putin.

Takimi mes dy liderëve vjen në kohën kur Agjencia Ndërkombëtare e Aviacionit Civil pritet të nisë hetimet mbi devijimin e avionit në Minsk, me synimin për të arrestuar një gazetar opozitar, çka shkaktoi edhe zemërimin e shteteve perëndimore, të cilat kanë vendosur të marrin sanksione ndaj Minsk.

Lukashenko gjithnjë është përkrahur nga shefi i Kremlinit, qoftë edhe në këtë incident të fundit.

Një ditë më parë presidenti Bjellorusisë ftoi homologët e tij në Rusi dhe SHBA ta takojnë atë në Minsk për të diskutuar të gjitha problemet që shpalosen midis vendeve të tyre.

Të mërkurën, duke folur para ligjvënësve në parlament, presidenti Alexander Lukashenko tha se presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti rus Vladimir Putin duhet të udhëtojnë në Bjellorusi për një diskutim të ndershëm.