Në provimin kombëtar të gjuhës shqipe dhe letërsisë për klasë IX, njohuritë e nxënësve do të vlerësohen në 3 kompetencat gjuhësore që kanë të bëjnë me: të lexuarit e teksteve letrare dhe jo letrare, të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale, si dhe përdorimin e drejtë i gjuhës. Sa i përket përfaqësimit të teksteve letrare dhe teksteve jo letrare, raporti i tyre do të jetë 70 me 30 për qind.

Kështu, testi i gjuhës dhe letërsisë do të jetë i ndarë në tre pjesë, e para që do të ketë në përmbajtje pyetjet rreth njohurive mbi tekstin letrar. Në këtë pjesë nxënësi zhvillon njohuritë dhe aftësitë për të kuptuar, për të analizuar dhe për të vlerësuar tekste të ndryshme jo letrare, si: përshkrime, rrëfime, kronika, biografi, kujtime, intervista, ditar, letra, reklama, fjalime, ese të ndryshme. Nxënësi lexon dhe punon me tekste nga krijimtaria popullore gojore, nga letërsia shqipe dhe ajo botërore, si dhe nga periudha e gjini të ndryshme, përshkruan dhe diskuton për kohën, vendin, mjedisin dhe ngjarjet, duke dhënë detaje nga teksti, veçon temën kryesore. Gjithashtu nxënësi duhet të analizojë personazhet, dallojë dhe tregojë funksionin e figurave stilistike, si dhe gjykon e vlerëson elemente të formës dhe të përmbajtjes së një teksti letrar. Nxënësi dallon elementet kryesore të metrikës në një tekst poetik, diskuton rreth atmosferës që krijon ai, analizon dhe shpjegon funksionin e elementeve kryesore të stilit dhe të gjuhës në një tekst poetik. Nxënësi përcakton tiparet kryesore të disa teksteve në prozë, si: përralla, tregimi, novela, romani, si dhe përcakton tiparet kryesore të tragjedisë, komedisë dhe dramës, analizon tiparet e personazheve dhe tregon funksionet e elementeve të veçanta të dramës.