Piktori, poeti, prozatori Gani Baliu që jeton e punon në Mitrovicë, sot më 10 prill 2023 mbush 65 vjeç…

Në portretizimin si “pjesëmarrës aktiv i protestave dhe i demonstratave që ndryshuan rrjedhat e historisë bashkëkohore të Kosovës dhe mbarë kombit tonë, i burgosur politik dhe i dënuar me disa vite burg, i mbijetuari i Masakrës së Dubravës (1999), veteran i çështjes kombëtare, qytetar model i Mitrovicës, i mirë dhe urtak” – siç e përshkruan njëri nga shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë, Dr. Miftar Kurti, gjejmë rastin të shtojmë edhe opinionin tonë për këtë krijues dhe atdhetar të klasit të parë. Siç është fat dhe nder për këdo që e ka mik Gani Baliun, gjithashtu është fat dhe nder për Mitrovicën, Kosovën dhe gjithë shqiptarinë që e lindi dhe e rriti fisnikun e vet…
Me rastin e 65-vjetorit të lindjes dhe me rastin e pensionimit të tij, edhe redaksia e Vala News i bashkohet sot miqve e dashamirësve të tij të shumtë, duke e uruar Gani Baliun për jetë të gjatë, lumturi familjare dhe suksese të mëtejshme dhe begati në krijimtarinë e tij të veçantë e plot sqimë…

_____


Nga Gani Baliu

“Vetmia – mbretëria ime”

Gjithçka është ndryshe sapo ta kalosh pragun. Mbyllja e derës me rrapëllimë vetëm se i ven kapak ndryshimit. Një stol i përforcuar për betoni, një shtrat hekuri me dyshek trepjesësh gjysmë i kalbur nga të rrjedhat fiziologjike të banuesve të mëhershëm, “qypi” i famshëm dhe një poç i pluhurosur elektriku, përbëjnë tërë botën brenda sipërfaqes prej disa metrash katrorë, të zënë me mure të nxirë prej dekadash dhe, vetëm me disa centimetër katror qiell që përvidhet nga dritarja e siguruar me pllaka çeliku, ku, nëse natyra të ka sajdisur me fuqi të bollshme për ta ruajtur mendjen, do ta mbyllësh këngën brenda vetes e do ta ushqesh ëndrrën, me ditë, me muaj, me vite… se, kënga nuk banon aty. Nuk banon as fjala, as dashuria as gëzimi… Asgjë që të lidhë me botën matanë pragut nuk banon aty.

Përpiqesh përtueshëm të vetëdijesohesh për ndryshimin ani se nevojave dhe kërkesave njerëzore vështirë u vihet fre. Fillon e njihesh me botën e re e cila të pret me plafin e shkretëtirtë të tjetërsimit dhe, sapo të jetë tretur pritja e pavetëdijshme për një ndryshim tjetër, nisë dhe e prekë atë ashtu siç preket një akull në të cilin janë ngrirë shumë dëshira, shumë këngë, shumë dashuri, shumë buzëqeshje…E prek çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, çdo sekondë. Dhe, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, çdo sekondë, ajo vjen e bëhet më pushtuese dhe thithë diçka nga brendia jote. Çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, çdo sekondë, shlyen nga pak imazh të botës matanë dhe të qon larg e më larg saj. Larg e më larg në një oqean të pafund vetmie ku pashmangshëm do të përballesh me dallgët e këngës turbulluese të sirenave, prej ku, shumë anie nuk do të jenë kthyer më kurrë. As direk për tu lidhur e as dyllë për ti mbyllur veshët, e kënga të josh e të josh në një rit të pazakontë të daljes nga lëkura, angështia e së cilës ta zë frymën. Çdo ditë, çdo natë e njëjta këngë. E njëjta këngë që vjen diku prej një bote të largët. Të largët e të afërt njëkohësisht. Diku nga një botë absurdi që fshihet pas një muri, pas një dere të mbyllur, pas një vije, pas një letre, pas një fjalie…, në kopshtin e së cilës duhet ta pëlcasësh Meduzën o ta varësh grafitin në mur.

Sa shumë grafite janë varur në atë mur, të vjetra e më të reja; D.N. – 20 vite, N.V. push…, Ave Maria… Do të më…, C.R. “Po më çmend vetmia”, N.M. edhe 12 vite, “çka na mbeti në këtë jetë” – B.R., “A do të dalë pranvera” – Toli, “Mos qel trëndafil pa ardhur unë” – Llaskuci, “Vdekje horrave”…

Sa shumë shpirtra do të kenë lënë trofetë në koleksionin e asaj bote të angësht se, pak dritë hyn në atë qivur këngësh, dashurish, buzëqeshjesh, dëshirash… Pak dritë, shumë pak dritë në atë mbretëri të trishtë vetmie ku patjetër duhet ta pjellësh një diell për ta shpëtuar ëndrrën, dashurinë, këngën… e me to pastaj ta lidhësh kohën e cila të peshon çdo ditë e çdo natë me përmasat e saj përbindëshe dhe pashmangshëm merr haraçin e vet.
Një ditë, edhe një ditë. Një javë, edhe një javë. Një muaj, edhe një muaj. Një vit, edhe një vit…

Përpiqesh të kuptosh se si ndodhin gjërat kështu, se si ndryshojnë kështu. Se si ndahen botët kaq lehtë, me një mur, me një derë të mbyllur, me një vijë, me një letër, me një fjali… Një vij e hollë, tmerrësisht e hollë i ndaka botët. E në këtë vij, një hon i gjerë, tmerrësisht i gjerë sëmundjesh mendore e morale. Një infinit përcëllues imoraliteti që ta merr dritën e syrit, veshkën, mushkërinë, këmbën, dorën dhe ta kërkon dashurinë. Një oqean injorance, grykësie, lakmie, egoizmi, pangopësie, hajdutërie, smire, kurvërie, manie, inferioriteti, pazotësie, sadizmi, shpirtligësie, zilie…
Ec e mos u druaj për shpirtin. Ec e mos u druaj për mendjen në këtë mbretëri të cilën nuk e sajdisi kurrë perëndia e dritës.

Natyrisht, asnjë nga këto nuk ia thash bijës sime që për detyrë shkolle do ta shkruante një ese në temën “Vetmia – mbretëria ime”. Do të bisedonim për një lloj më fisnik veçimi që vjen si rezultat i pjekjes krijuese të njeriut, kërkesave meditative apo thjeshtë për ti shmangur goditjet e përditshmërisë.