Serbia po shkel marrëveshjen e Ohrit (të arritur në parim) në aktivitetin e saj diplomatik kundër njohjes së shtetit të Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç, në vizitën e tij në disa vende aziatike ka lobuar për mosnjohje të Kosovës nga ato shtete.

“Vizita në Taxhikistan ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, duke pasur parasysh, siç thashë gjatë vizitës në Uzbekistan dhe Kirgistan, se Serbia neglizhoi rajonin e Azisë Qendrore, i cili është shumë i rëndësishëm, ku janë pesë vende jashtëzakonisht miqësore dhe tradicionalisht të afërta me ne të cilat janë në anën tonë kur bëhet fjalë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit tonë territorial.

Në bisedimet me zyrtarët e Taxhikistanit u konfirmua edhe një herë mbështetja e Taxhikistanit për integritetin dhe sovranitetin tonë territorial dhe u tha qartë se nuk do ta njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, ka thënë Daçiç, siç raporton mediumi në gjuhën serbe “Kosovo Online”.

Shefi i politikës së jashtme të Serbisë pretendoi se Beogradi zyrtar e ka forcuar pozitën e vetë në politikën e jashtme kur është fjala për Kosovën. “Asnjë nga ato vende nuk do ta njohë Kosovën dhe do të vazhdojë të mbështesë qëndrimet parimore të Republikës së Serbisë” – tha Ivica Daçiç.