Kryeministri konservator izraelit, Benjamin Netanyahu nuk arriti të formojë një qeveri pas zgjedhjeve të katërta parlamentare të vendit në dy vjet. Dështimi i fundit i Netanyahut mund t’u japë kundërshtarëve të tij një shans për ta larguar nga pushteti 71-vjeçarin. Izraeli është në krizë të thellë politike, por për momentin Netanyahu mbetet në krye të një qeverie kalimtare. Ai qeveris prej 12 vjetësh dhe është kryeministri më jetëgjatë në historinë e vendit.

Përveç krizës politike Netanyahu po përballet aktualisht me një gjyq për korrupsion. Deri tani i ka mohuar akuzat. Presidenti Reuven Rivlin pritet të caktojë udhëheqësin e opozitës, Yair Lapid, të partisë së qendrës “Atid” për të formuar qeverinë.

Sidoqoftë, vëzhguesit thonë se as Lapid nuk do të jetë në gjendje ta formojë lehtësisht qeverinë, ndaj dhe zgjedhjet e pesta nuk përjashtohen. Nëse shkohet sërish në zgjedhje, Netanyahu do të mbetet sërish kryeministër në detyrë.