Një konflikt i mbartur prej vitesh, mes akuzave për tradhëti, shantazhe dhe zhvatje parash, është kthyer në temën e ditës së fundmi në mediat dhe opinionin publik në Greqi.

Protagonistë të historisë “thriller” janë një grua shqiptare, Klodiana Çelo 49 vjeçe dhe ish-bashkëshorti i saj, okulisti grek, Jorgo Neo, 68 vjeç.

Sherri mes të dyve për pak sa nuk përfundoi në një tragjedi, pasi shqiptarja qëlloi me armë zjarri dy ditë më parë babain e fëmijës së saj, duke e lënë të plagosur.

Prej 4 vitesh ajo nuk e kishte më kujdestarinë e vajzës që ka nga marrëdhënie me okulistin dhe prej asaj kohe ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.

Por shtypi grek, shkruan se akuzat për shantazhe, tradhti dhe kërcënimet ndaj njëri-tjetrit, zgjasin prej disa kohësh. Sipas mediave lokale, 68-vjeçari grek, ka hedhur akuza ndaj Klodianës, se prej vitesh e shantazhon dhe e përndjek.

Mësohet se ai e ka denoncuar në polici dhe drejtësia greke e ka dënuar me 4 muaj burg, pas denoncimeve të bëra nga okulisti.

“Ka shumë vite që kemi një mosmarrëveshje ligjore. Ajo u dënua së fundmi me katër muaj burg për shantazh, shumë procese gjyqësore të tjera nuk kanë mbaruar. Ajo ka ardhur dy herë dhe më ka rrahur gruan. Më ka shantazhuar dhe më ka marrë para, mbi 100 mijë euro”, – ka treguar okulisti.

Ai ka shtuar më tej se ish-gruaja e tij i ka shkuar poshtë shtëpisë dhe e ka kërcënuar, si dhe i ka dëmtuar makinën atij dhe familjarëve të tij.

“Ajo nuk i kishte treguar mjekut që ka qenë e martuar, ia kishte fshehur origjinën, i kishte fshehur emrin, i kishte thënë emër tjetër, i tha që ishte italiane. Lidhja e tyre ka zgjatur gjithsej 6 muaj. Kur lindi fëmija, edhe pse nuk e kishte bërë testin e atësisë, mjeku mori përgjegjësitë e tij dhe i jepte 2000-3000 euro në muaj”, tha një mik i mjekut Jorgo Neo.

Ky person thotë se ka pasur edhe raste dhune, kur bashkëshortja aktuale e mjekut është rrahur dy herë nga Klodiana Çelo.

Kjo e fundit, një ditë më parë, pasi shkoi në Prokurori ku iu komunikuan akuzat e ngritura ndaj saj, u tha gazetarëve se Jorgo Neo ka dhunuar dhe abuzuar seksualisht vajzën e tyre 13-vjeçare.

Sipas të përditshme greke “Protothema”, Klodiana kishte tentuar më parë të arratisej me vajzën e saj drejt Shqipërisë. Në atë periudhë, ish-partneri e kishte denoncuar Klodianën se nuk kishte kthyer në kohë vajzën që kishte marrë për të kaluar fundjavën.

Kur policia e lokalizoi se ku ndodhej, ajo kërcënoi se do ta hidhte vajzën nga ballkoni. Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë e tillë pas disa orëve negociata dhe policia u largua.

Në këtë moment, 49-vjeçarja u nis me makinë drejt Shqipërisë, por plani iu anulua pasi vajza u sëmur dhe u detyrua të shkonte në spital.

“Më rrëmbeu vajzën për 5 vjet, e dhunoi, dhe prokurori nuk bëri asgjë. Nuk doja që t’i ndodhte askujt asgjë e keqe. Nuk e kisha parë vajzën për 5 vjet, por e shpëtova me jetën time, – ka thëënë Klodiana. – Ai është rrëmbyesi dhe përdhunuesi i saj, ai e ka përdhunuar, e drogoi dhe tha se ka epilepsi. E përdhunoi. Bëri gjithçka bashkë me mjekë të tjerë të njohur që dalin nëpër televizione dhe flasin për mbrojtjen e qytetarëve. Më lanë pa shtëpi, më morën fëmijën. Dua fëmijën tim, asgjë tjetër”, – është thirrja e saj.