William Barr Barr autorizon Departamentin e Drejtësisë për të hetuar mbi akuzat parregullsi në zgjedhje. Dhe del një video e vjedhur me paralajmërime

Tre sinjale në SHBA konfirmojnë se beteja ligjore qe Donald Trump kundër zgjedhjes së Joe Biden ka nisur me të gjitha forcat. E para është padia kundër sekretares së shtetit të Pennsylvania, Kathy Boockvar. E dyta, deklarata e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë që tha: “zgjedhjet nuk kanë përfunduar“. Dhe e treta, më e rëndësishmja: ministri i drejtësisë amerikane William Barr ka autorizuar Departamentin e Drejtësisë të hetojë mbi akuzat për mashtrim elektoral.

Prokurori i Përgjithshëm urdhëron nisjen e hetimeve

Departamenti i Drejtësisë, në Shtetet e Bashkuara, u dha prokurorëve federalë dritën jeshile për të hetuar parregullsitë e mundshme me votat në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Hetime të tilla zhvillohen normalisht nga shtetet e posaçme, por Prokurori i Përgjithshëm William Barr njoftoi përmes një memoje, se kur ka pretendime të besueshme për parregullsi që mund të kenë ndikim në zgjedhjet kombëtare, çështja mund t’u kalojë prokurorëve federalë.

“Është përgjegjësi e departamentit të drejtësisë të sigurojë që zgjedhjet federale të jenë zhvilluar në atë mënyrë, që populli amerikan të ketë besim të plotë në procesin zgjedhor dhe qeverinë e tyre”, deklaroi William Barr.

Dorëheqja

Por, menjëherë pas publikimit të memos, zyrtari i lartë i Drejtësisë Rochard Pilger, i cili do të duhej të mbikëqyrte hetimet, dha dorëheqjen në shenjë proteste. Në një e-mail, ai u tha kolegëve se Barr po përmbyste politikën 40-vjeçare të mosndërhyrjes së departamentit të Drejtësisë në pretendimet për vjedhje votash para certifikimit të rezultateve.

Pensilvania

Presidenti amerikan, Donald Trump, refuzon të pranojë humbjen e zgjedhjeve, dhe ka ngritur pretendime të pambështetura në prova, për parregullsi të mundshme. Ndërkaq, ekipi i fushatës së tij po përpiqet të bllokojë certifikimin e fitores së Biden në shtetin kyç të Pensilvanisë. Fitorja e projektuar e demokratit në ketë shtet, i dha atij 270 votat e nevojshme elektorale për të siguruar biletën për në Shtëpinë e Bardhë.

Zëdhënësja e Trump, Kayleigh Mcenany, tha se beteja ligjore për të kontestuar rezultatet sapo kishte nisur. “Pozicioni ynë është i qartë. Ne duam të mbrojmë një numërim të ndershëm, të saktë e të ligjshëm. Duam transparencë maksimale. Duam që çdo votë e ligjshme të numërohet dhe që çdo votë e paligjshme të skartohet”, deklaroi ajo.

Videoja e vjedhur: Kush dorëzohet humbet postin

Zgjedhjet nuk kanë përfunduar: Kush braktis barkën rrezikon vendin e punës dhe të ardhmen profesionale. Ky është edhe paralajmërimi që zyrtarë të lartë të administratës Trump iu kanë bërë këto orë të gjithë personelit të qeverisë federale amerikane. Prapaskenën e sjell siti Axios dhe Washington Free Beacon që shpjegojnë se direktiva ka dalë nga një video e vjedhur gjatë një konference telefonike me stafin e Usaid, agjencia federale për zhvillimin ndërkombëtar.

“Duhet të luani deri në vërshëllimën finale që ende nuk ka ardhur”, është mesazhi i një prej drejtuesve të agjencisë. “Zgjedhjet janë ende në zhvillim dhe Kolegji Elektoral nuk ka votuar ende. Nuk ka asnjë tranzicion pushteti“. Dhe pastaj paralajmërimi: “Kujdes, sepse Uashingtoni në fund është vërtet një qytet shumë i vogël…”. Një frazë e lexuar si një kërcënim real për ata që janë në kërkim të një pune të re.