Ministria e Mbrojtjes synon që të ndërtojë një hangar të ri për strehimin e helikopterëve UH60 BLACK HAWK që mbërrijnë këtë shtator nga Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Këto helikopterë do të strehohen në bazën ajrore të Farkës. Për këtë tashmë është hapur një procedurë prokurimi me një fond limit mbi 407 milionë lekë apo rreth 3.5 milionë euro. Në dokumentet që shoqërojnë procedurën janë dhënë detajet teknike të projektimit.

“Bazuar në skicat orientuese, pjesë e Detyrës së Projektimit, janë ruajtur të pacënuara pozicionet dhe sipërfaqet e Ambienteve. Hapësira e Hangarit pajiset me vincurë e cila operon në 50% të sipërfaqes së Hangarit Largësia e ganxhës së vincurës nga dyshemeja e Hangarit është 8.0 m.

Hapësirat e dedikuara për stacionimin e mjeteve fluturues, konform Detyrës së Projektimit, janë pozicionuar në distancë prej 3.0 m nga njëra tjetra dhe nga pengesat vertikale në ambient, konkretisht kolonat metalike.

Ambientet: Laborator, Workshop dhe Pajisje të Hangarit, janë në kontakt të drejtpërdrejtë me hapësirën nën vincurë gjë që lehtëson aktivitetin në këto ambiente.

Pozicionimi i daljeve të emergjencës është sipas skicave orientuese, pjesë e Detyrës së Projektimit.

Korridoret e emergjencës janë 2.30 m të gjera, bazuar në rekomandimet e inxhinierit MKZ në lidhje me mbrojtjen pasive nga zjarri. Lartësia e katit përdhe të pjesës dykatëshe është 4.80 m, referuar skicave orientuese, pjesë e Detyrës së Projektimit” sqarohet në raportin teknik që shoqëron procedurën.