Nga Ilir Mborja

Për një foto dhe një pikturë të Edi Ramës të para 40 vjetëve dhe historinë e krijimit të saj mësuam jo më larg se dje.

Më çdo 12 dhjetor, të krishterët ortodoksë që quhen Spiro, festojnë Ditën e Emrit. Këtë radhë qëlloi e diel dhe kjo qe një arsye më shumë për ta uruar nga afër në shtëpinë e tij në Athinë, Spiro Shanon, ish basketbollistin e shquar të “Dinamos” dhe Kombëtares sonë.

Për foton, Spiro Shano më shpjegoi këtë:

Në maj të 2017-s, Bashkia e Përmetit i akordoi ish basketbollistit të famshëm të “Partizanit” dhe të Kombëtares sonë Gaz Çaçi titullin “Qytetar Nderi”.

Në foton nga ceremonia që u zhvillua atë ditë, tek fanella e Gaz Çaçit të veteranëve të “Partizanit” që zhvilluan një takim miqësor me veteranët e “Dinamos”, dallohet qartë numri 11. Ndërsa fanellën me numrin 11 për “Dinamon” e mban Spiro Shano (i pari nga e majta). Pikërisht këto detaje, numri 11 në fanellat e Spiro Shanos dhe Gaz Çaçit, ristartuan kujtesën për qendrat e lavdishme të basketbollit tonë te Dinamo e Partizani. Bashkë me basketbollistin e shquar Gazmend Çaçi, mes personaliteteve të shtetit dhe të Federatës, ishte edhe ish basketbollisti dhe Kryeministri Edi Rama, por, në këtë foto, megjithëse i veshur sportiv, nuk kishte fanellën e Dinamos. Natyrshëm na lindi pyetja: Pse Edi Rama, që mori pjesë në ndeshjen miqësore të veteranëve të të dy ekipeve, nuk kishte fanellë sportive?…   Për këtë pyetëm Spiro Shanon, njërin prej personazheve të kësaj fotoje, i cili na dha këtë shpjegim:

“Atë ditë në Përmet gjithçka kishte të bënte me numrin 11 që mbante fanella ime. Kur e lashë sportin, dmth kur u largova përfundimisht për arsye të moshës madhore nga “Dinamo”, fanellën time me numrin 11 ia dorëzova në mënyrë ceremoniale, siç bëheshin atëherë, Edi Ramës. Atë ditë, në maj të 2017-s, në Përmet, atë fanellë e mbajta vetë dhe kjo ishte arsyeja pse Edi luajti me ne, por pa uniformën e Dinamos. Një fanellë ishte me numrin 11 për “Dinamon” dhe Edit, meqë ishte në prag zgjedhjesh, i urova të mbetej “Dino Menegini” i qeverisë.”

 Peizazh nga Edi Rama (1981) Vaj, kanavacë (50 cm X 40 cm). Koleksion i Spiro Shanos: Glifadha - Athinë.

Peizazh nga Edi Rama (1981) Vaj, kanavacë (50 cm X 40 cm). Koleksion i Spiro Shanos: Glifadha – Athinë.

Më pas, ish basketbollisti i suksesshëm i Dinamos dhe i Kombëtares Spiro Shano tregon se numri 11 që ai kishte mbajtur gjatë jetës së tij sportive ishte i ndikuar prej basketbollistit të madh italian Dino Menegini, bashkëkohës i tij (i datëlindjes 1950) që luante në qendër dhe ishte idhulli i të gjithëve sportdashësve.

“Ai është konsideruar si basketbollisti më i mirë italian, si dhe një nga më të mëdhenjtë e atyre kohërave në Evropë e në botë. Të mbaje numrin 11 në basketboll, ishte si të mbaje numrin 10 në futboll, që nënkuptonte lojtarin më të mirë të ekipit. Por, kjo, sigurisht nuk ishte e lehtë për cilindo. Duke kujtuar rrugën sesi mbërriti tek fanella me numrin 11, Spiro Shano shprehu bindjen se: “Çdo njeriu që të jetë i suksesshëm në një sfidë, ashtu si idhulli i tij Dino Menegini, i nevojiten tri gjëra: talenti, fati dhe puna. Dy të parat janë dhuratë e natyrës. Vetëm puna është ajo që ka në dorë të vet njeriu.” – e përfundoi  shpjegimin për foton me Edi Ramën, Gaz Çaçin dhe personalitetet e tjera në Përmet Spiro Shano…

Dedikimi (Spiros) dhe firma (e...) Edi Ramës në peizazh.

Dedikimi (Spiros) dhe firma (e…) Edi Ramës në peizazh.

***

Ndërsa, për një pikturë që ndodhej mes pikturave të shumta në sallonin e shtëpisë së Spiro Shanos, më tërhoqi vëmendjen një peizazh me bojëra vaji me një format rreth 50 me 40 cm. Një natyrë me pemë e gjelbërim, e pikturuar me një realizëm skrupuloz, me detaje të studiuara gati deri në atë që quhet hiper realizëm, por që, gjithsesi, e ruante një sens  impresionizmi.

“Është e Edi Ramës” – filloi të më tregojë për pikturën Spiro Shano.

“Ishte vjeshtë e vitit 1981. Edi ishte maturant për pikturë në Liceun Artistik dhe pjesë e ekipit të “Dinamos” dhe e Kombëtares…

Kjo pamje është te kodrat e Liqenit dhe Edi e kishte vendosur kavaletin diku aty ku prehen Vëllezërit Frashëri. Dukej se këtij vendi ia kishte vënë syrin kur ne basketbollistët e Dinamos stërviteshim duke vrapuar nëpër ato kodra. Ia kërkova dhe ma kishte premtuar që do të ma falte mua kur ta përfundonte, prandaj, tek figura e asaj vajzës me bluze të kuqe, pikturoi (ashtu, nga mendja) Jetën. Sapo ishim martuar.

Kjo është historia e kësaj pikture të para 40 vjetëve. Tani ai pikturon ndryshe. Edhe ato që bën tani më pëlqejnë, por kjo më pëlqen më shumë. Më zgjon shumë kujtime ky peizazh, kjo vjeshtë.”

Vërtetë, tani Edi Rama pikturon krejt ndryshe, por në këtë stad interpretimi abstragues të pikturave që bën sot, kam bindjen se nuk mund të mbërrinte pa kaluar më parë nëpër një shkollë që zbatonte me rreptësi metodën e studimit me realizëm të natyrës. – u mundova t’i shpjegoj Spiros situatën artistike të Edit, meqenëse edhe unë kisha kryer dy vjet përpara tij Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe, si të thuash, e njihja mirë historinë e traditën e hershme të shkollës sonë të arteve figurative.

“Ishte e çuditshme si e raciononte kohën që, e gjitha, për atë njeri, ishte vetëm punë.” – vazhdoi Spiro Shano.

“Pa filluar stërvitja për basketbollin dhe sapo mbaronte ajo, Edin e gjeje, ose me libra, ose me penel në dorë. Megjithëse e njihja shumë mirë dhe shoqërohesha shumë me të, mister që nuk e zgjidha dot asnjëherë më mbeti pyetja: Kur pushonte, kur çlodhej ai njeri?

Maj 2017, në Përmet pas ndeshjes miqësore të basketbollit që u zhvillua mes veteranëve të "Partizanit" dhe "Dinamos"

Maj 2017, në Përmet pas ndeshjes miqësore të basketbollit që u zhvillua mes veteranëve të “Partizanit” dhe “Dinamos”

Një ditë kishte dalë për peizazh. Nuk e kishte përfunduar punën kur befas nisi një shi. Kaloj rastësisht dhe i thashë ta linte punën e të futej në çadrën time. Nuk pranoi.

“Është fat, është shumë i bukur peizazhi me shi…, ndonëse i vështirë për t’u realizuar profesionalisht.” – më tha dhe vazhdoi të pikturojë i përqendruar, pavarësisht shiut që binte.

I lashë të hapur çadrën time dhe ika me nxitim. Kthej kokën dhe shoh se çadrën e kishte vendosur në atë mënyrë që të mbronte nga shiu tablonë dhe tavallozin e bojërave. Vetë qëndronte në shi…

Të nesërmen i shkova në shtëpi dhe pashë se kishte realizuar një punë shumë të bukur. Më pëlqeu. U tundova. Shumë u tundova, por më erdhi keq t’ia kërkoja, se e dija që, po t’i thoja, do të ma falte. S’dinte të thoshte jo. Ky është Edi që njoh unë. Artist i vërtetë. Nga pikturat që bën tani nuk marr shumë vesh, por thjesht më pëlqejnë dhe besoj tek talenti i tij, tek forca, tek Edi si karakter i rrallë. Ndërsa për Edin basketbollist, e them me bindje: ishte fantastik. Shkëlqeu se talentin e ushqeu me punë. Për këtë, kur e lashë sportin, isha shumë i lumtur që fanellën time me numrin 11 ia dorëzova atij. Edi e meritonte vërtetë fanellën me numrin e Dino Meneginit të madh. Ja, për këtë, edhe emrin  djalit tim ia vura Edi.” – e mbylli tregimin për Edi Ramën dhe pikturën e tij të para 40 vjetëve ikona e basketbollit tonë Spiro Shano.

***

Në foton kryesore: Spiro Shano, Athinë, më 12 dhjetor 2021

 

©Copyright VALA News

Ky artikull është ekskluziv i Vala News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vala-News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.