Detaje të reja janë zbardhur nga kërkesa për azil e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në Romë. Llalla kishte kërkuar azil politik në Itali disa kohë më parë dhe të premten e kaluar kishte seancën e radhës për të vlerësuar kërkesën e tij.

Ndërkohë që gjykata po përgatitej për të dhënë vendimin në lidhje me kërkesën për azil mëson se në emër të tij kishte një vendim të formës së prerë ku dënohej me 2 vite burg.

Përballë kësaj situate, gjykata e Romës ka kërkuar nga SPAK të gjithë dosjen hetimore ndaj Llallës, në bazë të së cilës ishte dhënë dhe dënimi me burgim.

Gjatë seancës së të premtes, gjykata i ka marrë Llallës pasaportën duke i kërkuar që të mos lëvizë nga Roma pa dhënë ajo një vendim mbi kërkesën për azil politik.

Nëse gjykata pranon kërkesën e Llallës për azil politik, ai nuk mund të ekstradohet në Shqipëri pavarësisht vendimit të GJKKO-së.

Në të kundërt, nëse gjykata i hedh poshtë kërkesën për azil nisur nga përmbajtja e dosjes së SPAK, Llalla do të ekstradohet në vendin tonë për të vuajtur dënimin.