Pasi u rikthye në selinë e PD-së, Sali Berisha mbajti një fjalim në ambientet e brendshme të saj, ndërsa Lulzim Basha mbante një tjetër mbledhje në një sallë paralele.

Në fjalën e tij nga selia e PD, Sali Berisha paralajmëroi edhe protesta kombëtare kundër qeverisë, madje theksoi se ishte në plan që një protestë e tillë të mbahej më 18 dhjetor.

Berisha u shpreh se Ramën e shpëtoi referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës.

“Protesta kombëtare është opsion, një opsion ishte më datë 18, por problemi është se referendumi duhet bërë për shkak të festave që vijnë dhe shpëtoi. Ramën e shpëtoi referendumi i peng-Bashës, pasi do të kishte pasur të gjithë Shqipërinë në Tiranë. Revolucionin nuk e ndal askush”, u shpreh Berisha.

Berisha thotë se ka mbështetje në Europë

Berisha u shpreh se pas kuvendit kombëtar të së shtunës, ka marrë mbështetjen e konservatorëve në Europë dhe në botë.

“Nga të gjitha konferencat e shtypit të karrierës sime, kjo konferencë është më e veçanta. Kjo konferencë mbahet sot pas kuvendit kombëtar të rithemelimit të PD-së, ngjarje kjo absolutisht unike, si monument lirie e grave dhe vajzave të lira, që në kundërshtim, në përballje me narkoshtetin dhe nomenklaturën, me pengkryetarin, por edhe me presione të tjera të pandershme, ngrihen si viganë në një kuvend të lirë dhe vendosin të shndërrojnë PD-në në shtëpinë e lirisë; vendosin të rikthejnë fuqishëm pluralizmin politik në Shqipëri. Ju garantoj se pas themelimit të PD-së në vitin 1990 dhe aktivit të saj kombëtar, ky kuvend ishte më perëndimor në rrafshin e vlerave që sanksionoi në kushtetutën e PD-së. Jehona e këtij kuvendi, siç ishte unik në llojin e tij, është e jashtëzakonshme në çdo zemër shqiptari, të të gjithë atyre që duan liri. Ju informoj me kënaqësi se personalitetet më të respektuara të krahut konservator në Europë dhe në botë shprehën përgëzime për demokratët shqiptarë. Shpreh kënaqësinë për zhvillimin në Shqipëri dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar ngushtësisht me PD-në e rithemeluar në kuvendin e jashtëzakonshëm në të saj, në mënyrë që PD-ja të përmbushë misionin e saj të madh. Basha është njeriu i karrigeve, unë jam i pasionit”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai u bëri thirrje demokratëve të pavendosur që të bëhen pjesë e kësaj lëvizje në parti. “Në mbledhjen që sapo u mbyll, unë u dërgova një përshëndetje të përzemërt të gjithë demokratëve në Shqipëri. Nëpërmjet jush përcjell një thirrje miqësore ndaj çdo demokrati që ende nuk ka vendosur të bashkohet me PD-në, është i mirëpritur”, tha Berisha.

Akuza Bashës

“Edhe Basha, edhe Bardhi do të mbeten deputetë të PD-së. Kjo është parti e lirisë. Basha ka probleme të mëdha me drejtësinë, probleme të jashtëzakonshme, por jo vetëm me drejtësinë shqiptare, por edhe belge. Derisa të provohet pafajësia në gjykatë… neni i prezumimit të pafajësisë vlen edhe për Bashën”.

Megjithëse Berisha tha se Lulzim Basha ka probleme me drejtësinë, sërish theksoi se do të mbetet pjesë e PD-së, po ashtu si edhe Gazmend Bardhi.