Puna e Zinedine Zidane në krye të Real Madrid po vlerësohet shumë javët e fundit. Në tetor, të gjithë mendonin se madrilenët ishin jashtë luftës për trofe, por sot, Reali është në luftë të plotë për titullin kampion në Spanjë dhe në gjysmëfinalet e Champions League.

Alessandro Del Piero dhe ish-futbollistët anglezë, Rio Ferdinand dhe Steve McManaman, vlerësuan punën e francezit, duke e cilësuar atë si “gjeni”.

“Zidane ka një aftësi të pabesueshme. Në shumë pak kohë nisi punë si trajner dhe rreshtoi trofetë më të rëndësishëm. Ka fituar 3 Champions radhazi si trajner. Fenomenal. Nuk ka çfarë të thotë, ashtu siç nuk fliste shumë kur ishte lojtar. Atëherë linte futbollin që të fliste, edhe sot bën të njëjtën gjë”, deklaroi Ferdinand, ish-kapiten i United.

“Bën punën e tij pa fjalë dhe e bën shumë mirë. Shkon në një finale Champions-i dhe di se si ta fitojë atë”, shtoi Ferdinand.

Edhe McManaman e mbushi me lëvdata trajnerin e Realit: “Ka bërë një punë të mrekullueshme. Nëse do të ishte një trajner tjetër, do e duartrokisnin të gjithë. Por, duke qenë se është i qetë dhe modest, njerëzit nuk besojnë se ai është gjenial nga ana taktike, por në fakt, ai është i tillë. Tifozët duhet ta vlerësojnë më shumë”.

Alessandro Del Piero thotw: “Historia flet për Real Madrid, raporti që kanë me Champions është i qartë. Kanë gjetur konkretizim, qëndrueshmëri dhe forcë të brendshme për meritë të Zidanes. Pas divorcit u rikthyen sërish bashkë dhe jo të gjithë e mendonin se do të bëheshin kaq shpejt të fortë”.