Deti dhe qielli në Far Oer, arkipelagu praktikisht i pavarur edhe pse formalisht ende nën protektoratin danez, nuk kanë zakonisht ngjyra të theksuara, duke mbetur në një të zbehtë që shpesh herë anon nga grija.

Por çdo vit, gjatë asaj që banorët lokalë quajnë “Grindadrap”, deti ngjyroset me të kuqen e fortë të gjakut të mijëra balenave. Një traditë kjo, që vjen nga shekulli i 12-të, kur banorët e parë të ishujve që ndodhen sipër Skocisë mësuan se në këtë periudhë të vitit, afër brigjeve kalonin tufa balenash, që u shndërruan në një burim ushqimi të pashtershëm.

Banorët e Far Oer, përdornin çdo pjesë të balenave, nga dhjami që shndërrohej në vaj me të cilin mjekoheshin por edhe ndriçonin netët e gjata, deri tek lëkura nga e cila prodhonin litarë. Por sot, ku supermarketet e kryeqytetit Torshavn janë plot, “Grindadrap” është thjesht një festë kombëtare, por me modalitete makabër.

Mbyllen shkollat dhe çdo institucion shtetëror dhe banorët i afrohen plazhit ku të shtyra nga dhjetëra varka dhe peshkarexhë, tufa gjithmonë e më të rralla të balenave por edhe delfinë të shumtë i afrohen brigjeve, ku banorët mund t’i vrasin me anë të asaj që në gjuhën lokale quhet “monustingari”, një lloj shtize artizanale.

Por disa ditë më parë eventi mori dimensione që shokuan vetë banorët, ku viktima ishin më shumë se 1500 delfinë të masakruar. Ambientalistët denoncojnë metoda vërtetë brutale, të shfaqura edhe në video që u përhapën në rrjetet sociale.

Një kasaphanë që detyroi edhe kreun e shoqatës që kontrollon gjuetinë balenave të thoshte se kishte ndodhur një “gabim i madh”.