Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në seancën e Kuvendit, ju drejtua opozitës duke i kërkuar që mosdakordësitë t’i shprehë me debat dhe me votë kundër, jo me sharje dhe me grisje fletë-votimesh.

“Rikthehemi në këtë sallë pas një palë zgjedhjesh të fituara qartësisht nga njëra palë dhe të kontestuara nga pala tjetër. Jemi përsëri të detyruar që të rrimë bashkë, për 4 vite. Rritja e ekonomisë dhe mirëqenies, nuk varen kurrsesi vetëm nga të ardhurat dhe shpenzimet, por edhe besimi i qytetarëve te institucionet. Nuk duhet të veniten energjitë në superxhiron e luftës politike. Cilësia e jetës dhe progresi demokratik i një vendi nuk varet sa shpesh bien dakord qeveria me opozitën, por se si shprehet kjo mosdakordësi mes palëve. Tjetër të polemizosh dhe debatosh, tjetër të shahesh; Tjetër të votosh kundër, tjetër të grisësh fletën e votimit. Duhet të përpiqemi që të sillemi si njerëz, si prindër fëmijësh dhe si fëmijë prindërish”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se është i hapur për dialog të drejtpërdrejtë me opozitën, por theksoi se nuk do të pranojë kërcënime: “Nuk duam lëshim nga ju, por jemi gati të bëjmë kompromis për çdo lëshim që ju dëshironi. Jemi të hapur të dialogojmë drejtpërdrejtë, por një gjë ta keni parasysh: me kërcënime nuk keni arritur dhe nuk do të arrini kurrë gjë. Ndërsa me komunikim mund të merremi vesh për gjithçka”.

Më tej, Rama nënvizoi se nuk do të pranojë “asnjë ndërmjetësues të huaj për të zgjidhur krizat e brendshme institucionale”.