Gjithçka u mbyll në mënyrë të papritur në tremujorin e dytë të vitit, si rrjedhojë përpjekjeve për parandalimin e pandemisë. Kufijtë u mbyllën, avionët ndalën fluturimet prej riatdhesimeve dhe njerëzit u detyruan të mbyllen në shtëpi pjesën më të madhe të kohës.

Shumëkujt iu desh që të anulonte planet e udhëtimeve jashtë vendit, ndërsa të huajt pezulluan prenotimet për në hotelet shqiptare.

Të dhënat e para nga Banka e Shqipërisë tregojnë se bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë ishte vetëm -2 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit.

Të huajt shpenzuan në Shqipëri vetëm 63 milionë euro në tremujorin e dytë, nga 506 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një tkurrje prej 87%, ose 443 milionë euro më pak.

Edhe shqiptarët, në udhëtimet e tyre jashtë shpenzuan rreth 65 milionë euro, nga 425 milionë euro në tremujorin e dytë 2019, me një rënie prej rreth 85%, ose 361 milionë euro më pak.

Ndonëse bilanci i udhëtimeve është pothuajse zero, hotelet e kanë ndier mungesën e të huajve, që kanë shpenzuar rreth 440 milionë euro më pak në tre muajt e dytë të vitit.

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv prej 81 milionë euro për Shqipërinë.

Për 6 mujorin, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv për 91 milionë euro, nga 157 milionë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej 42%. Shpenzimet e të huajve për 6 mujorin ishin vetëm 409 milionë euro, në përgjysmim në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se në  Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020, është 1.380.308 duke rënë 48,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve tëhuaj të hyrë në vendin tonë përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020 është 781.894, duke rënë me 63,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në vitin 2019, që ishte më i miri për turizmin deri tani, bilanci pozitiv i udhëtimeve ishte rreth 500 milionë euro, teksa të huajt shpenzuan rreth 2 miliardë euro në udhëtimet në vend, ndërsa shqiptarët harxhuan jashtë rreth 1.5 miliardë euro.