Presidenti i Tiranës, Refik Halili, foli para mediave për largimin e trajnerit Nevil Dede, vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes që bardheblutë humbën 1-0 ndaj Laçit.

Kur u pyet se çfarë ndodhi para takimit, Halili u shpreh: “Pyesni trajnerin, le të flasë ai i pari. Sepse sa herë që kam folur unë i pari, më ka dalë mua më keq. Unë jam në rregull me gjërat e mia. Pasi të flasë ai, do ta mësoni si është e vërteta. Sa herë kam folur unë, mua më ka kushtuar ana financiare. Ne si klub do të punojmë të gjithë bashkë, skuadrën e kemi, por duhet shumë punë për të ecur përpara”.

Halili humbi qetësinë kur u pyet nëse ka ndërhyrë ndonjëherë në formacion: “Sa herë më do qejfi, bëj ndërhyrje në formacion. Sa herë të thoni ju (gazetarët) që unë kam ndërhyrë, kam ndërhyrë. Kam 20 vjet që ndërhyj. O kanë bërë trajnerët qejf me mua, nuk besoj të kenë bërë me dikë tjetër”.