Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ditën e prezantimit të Dani Alvesh ka ngacmuar zemrat e tifozëve katalanas, kur ka thënë se nuk përjashton as rikthimin e Andres Injiestës dhe Lionel Mesit.

Pas emërimit të Ksavit në stolin e Barcelonës dhe rikthmit të Dani Alveshit, te Barcelona duket se nuk kanë në plan t’i japin fund operacionit nostalgjik. “Një rikthim të Mesit dhe Injiestës? Nuk e përjashtoj, – ka thënë presidenti Joan Laporta. – Kjo gjë ka ndodhur me Danin, mund të ndodhë edhe me ata.

Laporta ne prezantimin e Dani Alveshit

Ka personalitete që e kanë bërë klubin të madh dhe Leo dhe Andres janë dy lojtarë spektakolarë. Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, ata po luajnë ende. Kanë qenë të mëdhenj te Barcelona dhe e kanë bërë klubin edhe më të madh. Janë lojtarë me një kontratë në fuqi me klube të tjera dhe kjo gjë duhet respektuar, por në jetë nuk i dihet asnjëherë”.

Pasi ka kthyer në ekip një 38-vjeçar si Dani Alvesh, Laporta nuk ua ka mbyllur derën dy ish-katalanasve Mesi dhe Injiesta, aktualisht te PSG dhe Visel Kobe, edhe pse në 2022-shin ata do të mbushin respektivisht 35 dhe 38 vjeç.