Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i ka prezantuar homologes së tij, Olta Xhaçka, nismën e re “Iniciativa 8”, për bashkëpunimin tripalësh Shqipëri- Maqedoni e Veriut-Bullgari. Sipas tij, kjo iniciativë do të rinovojë mbështetjen politike për projektet e infrastrukturës përgjatë Korridorit 8, duke lidhur Lindjen dhe Perëndimin nga Adriatiku në Detin e zi

“I prezantova ministres nismën e re për bashkëpunim tripalësh “Iniciativa 8” që duhet të rinovojë mbështetjen politike për projektet e infrastrukturës përgjatë Korridorit 8, duke lidhur Lindjen dhe Perëndimin nga Adriatiku në Detin e Zi. Të trija vendet, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mund të gjejnë një formulë për promovimin e bashkëpunimit tripalësh duke intensifikuar shkëmbimin politik, ekonomik,  të sigurisë, kulturor dhe shoqëror që do të rezultojë me përforcim të besimit të qytetarëve tanë”.

Një tjetër temë e diskutimi në takimin mes tij dhe kryediplomates shqiptare ishte dhe forumi i Prespës për dialog si një mundësi përftimi për multikulturalizmin.

“Forumi i Prespës për dialog si një platformë për përfitime e mundësi në dialog, për përfitime në procesin e pajtimit dhe multikulturalizmit në rajon”.

Një sukses të qeverive të të dyja vendeve Osmani konsideroi edhe nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e Diasporës që do të nënshkruhet sot, si edhe interesin për mbledhjen e dytë të përbashkët të qeverive.

“Sot, nënshkruajmë marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e Diasporës, një sukses i të dyja qeverive. U përsërit interesi për mbledhjen e dytë të përbashkët të qeverive që do të jetë një mundësi për marrëveshje te reja bilaterale dhe pasurimin e përbashkët. Intensifikim në të gjitha nivelet dhe stimuj shtesë për infrastrukturë, energji e turizëm si bashkëpunimin kulturor si hapjen e qendrës kulturore informative në Tiranë. Të gjitha këto flasin se kjo vizitë është e suksesshme”.