Lulzim Basha prezantoi këtë të premte programin e Partisë Demokratike për rininë në zgjedhjet e 25 Prillit. Kryedemokrati u shpreh se interesi i selisë blu është që të zhvillohet Shqipëria. Në këtë mënyrë ai u angazhua për mundësi të reja për brezat e rinj.

“As edhe një ndryshim nuk bëhet pa menduar për fëmijët dhe rininë”, tha Basha.

Sipas Bashës, plani i demokratëve është i sigurtë dhe konkret. Ai u shpreh se si kryeministër do të zgjidhë çështjen e papunësisë, uljen e emigrimit, rritjen e cilësisë së arsimit dhe inovacionin, një pikë që sipas Bashës do të jetë në krye të përparësive. Basha u angazhua se 9 në 10 prej studentëve shqiptarë që vijnë nga familje nën 64 mijë lekë në muaj do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për Bachelor dhe Master.

Pjesa tjetër do të përfitojë përgjysmim të tarifave. Sipas tij do të jepen 5000 bursa të plota për ata që kanë vështirësi ekonomike. Studentët do të kenë praktika të paguara për 10 mijë prej tyre. Në programin e PD-së, thuhet se qeveria e dalë nga zgjedhjet do të krijojë 4 inkubatorë biznesi për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrësit.

Basha tha se asetet që do të sekuestrohen nga Ligji Anti-Mafia do të përdoren për të rinjtë që të ngrenë biznese.

“Angazhohem që asestet e sekuestruara në bazë të Ligjit Anti-Mafia do të kalojnë në duart e të rinjve që ngrenë biznese me benefite sociale për shoqërinë. Angazhohem që ta bëj brezin e ri përparësi të qeverisjes sonë, punë, arsim, mundësi, profesion. Rinia do të jetë e para”, tha Basha.

Sipas kryedemokratit zgjedhjet e 25 Prillit janë jetike. “Ose do ta ndryshojmë Shqipërinë ose nuk do të kemi të ardhme”, tha ai.