Gjatë gjithë vitit 2022, qeveria shqiptare ka vendosur të shpërblejë me pagë minimale çdo muaj gjithë naftëtarët dhe ish-naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u bëri thirrje të gjithë naftëtarëve dhe ish-naftëtarëve, që të paraqesin dokumentet e nevojshme pranë zyrave të punës.

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam një vendim shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë mbështetjen sociale të qeverisë shqiptare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh. Sipas këtij vendimi, gjatë gjithë vitit 2022, do të ketë një pagesë kalimtare e barabartë me pagën minimale, përfshirë dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, e cila do t’i jepet listës së ish-punonjësve të rafinerisë së naftës në Ballsh, të miratuar që në vitin 2020 në vendimin e nëntorit të vitit 2020.

Kjo listë, sigurisht që do të rishikohet me ata persona që janë të punësuar apo të vetëpunësuar, apo ata të cilët kanë dalë në pension pleqërie. Ndërkohë, ftoj të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit të rafinerisë në Ballsh, t’u drejtohen zyrave të punës pranë vendbanimeve të tyre me qëllim dokumentacionet për të përfituar nga kjo ndihmë, e cila do të jepet në bazë mujore përgjatë gjithë vitit 2022”, deklaroi ministrja.