Pagesat për inceneratorët vazhdojnë sipas kontratave, pavarësisht hetimeve.

Në lidhje me këtë çështje, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se ka shumë arsye se pse qeveria nuk i ndal pagesat.

Në një postim ne Facebook, Kryemadhi paralajmëron për diçka që pritet të ndodhë.

“Të dashur gazetarë, shumë shpejt nuk do të jetë e nevojshme të lodheni më me pyetje apo dyshime, që ngelen pa përgjigje. Ka shumë arsye pse Qeveria nuk i ndalon pagesat ndaj inceneratorëve. Me vitin e ri do të hapen të gjitha letrat dhe shumë shpejt e vërteta e mega aferës kriminale qeveritare, do të triumfojë mbi propagandën e sforcuar”, shprehet znj. Kryemadhi.

Një ditë më parë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se për çështjen e inceneratorëve, ministritë kanë për detyrë të zbatojnë kontratat.

Balluku nënvizoi se ministritë nuk mund të paragjykojnë kompanitë, ndërkohë që vijojnë hetimet.