I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të jetë në Tiranë më 9 dhjetor, vetëm pak ditë para Kuvendit të PD të thirrur nga ish-lideri Sali Berisha.

Në agjendën e zyrtarit të lartë amerikan është parashikuar takim edhe me kreun e PD Lulzim Basha, i cili gjithashtu ka thirrur një Kuvend më datë 18 dhjetor dhe me kryeministrin Edi Rama.

Ndërkohë, Instituti për Siguri Ndërkombëtare në Beograd ka paralajmëruar se gjatë janarit të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione ndaj 50 politikanëve e biznesmenëve në Ballkan.

Orhan Dragash, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Sigurisë thotë se janë rreth 50 persona dhe se këto janë sanksione të synuara ndaj individëve dhe jo ndaj shtetit.

Sipas tij, “do të vendosen sanksione ndaj një pjese të komunitetit politik dhe afarist në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë”.

“Këto janë sanksione individuale që prekin ata kundër të cilëve drejtohen dhe japin rezultate. Në Bullgari u treguan shumë efektive, ku në listën e sanksioneve ishin 50 persona dhe kompani të afërta me Bojko Borisovin. Dhe ju mund të shihni se ai humbi në mënyrë dramatike zgjedhjet“, tha ai.

Shpallja e sanksioneve është në përputhje me atë që tha së fundmi Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Sipas tij është e qartë se sanksionet ndaj politikanëve janë një opsion realist.