“Pandemia në Bashkimin Europian do të vihet në kontroll brenda muajit korrik”. Këtë pohim e bëri Komisioneri për Tregtinë e Brendshme në BE, Thierry Breton, sipas të cilit nëse duhet marrë parasysh një datë simbolike ajo do të ishte 14 korriku.

“Le të marrim një datë simbolike, më 14 korrik kemi mundësinë për të arritur imunitetin në nivelin e kontinentit”, tha Breton në kanalin francez TF1.

“Gjithnjë nëse dërgesat e vaksinave i përmbahet kontratave”, pohoi komisioneri.

Ai vuri në dukje se vaksinat po mbërrijnë. “Midis marsit dhe qershorit, do të shpërndahen midis 300 dhe 350 milion doza të vaksinës”, specifikoi Breton.

Ai tha se 55 fabrika në Europë tani prodhojnë vaksinën. Sepse sipas Breton, BE e di që kjo pandemi ka vetëm një zgjidhje që mbetet, vaksinimi i popullatës.

“Nuk kemi nevojë për vaksinën ruse”

Bashkimi Europian nuk ka absolutisht nevojë për vaksinën ruse Sputnik V kundër COVID-19.

“Ne e vlerësojmë se do të marrim imunitet deri në 14 korrik, me prodhim në dispozicion europian”, tha Thierry Breton.

Breton përsëriti një koment të mëparshëm se BE mund të ndihmojë Rusinë të prodhojë vaksina nëse është e nevojshme, por përparësi duhet t’u jepet europianeve.

Deklarata vjen pasi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian nuk mund të dhurojë aktualisht vaksina të koronavirusit në vendet e varfëra.

“Ekziston një presion i madh mbi vendet anëtare për të blerë vaksina për veten e tyre”,  tha Von der Leyen duke folur për Funke Media Group.

Por shefja e KE theksoi mbështetjen financiare të BE për iniciativën COVAX dhe përpjekjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të siguruar qasjen në vaksinat për vendet e varfra.

“Bashkimi Eyropian ka investuar 2.2 miliardë euro në këtë iniciativë. COVAX tashmë ka shpërndarë 30 milion doza në 52 vende”, tha Von der Leyen.

Ajo vuri në dukje se mekanizmi që lejon bllokun të ndajë vaksinat direkt me vendet e tjera nuk do të fillojë derisa ata të kenë një situatë më të mirë prodhimi në BE.