Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu u takua një ditë më parë me anëtarët e komunitetit mysliman në Komotini, një qytet në Greqinë veriore, e cila dikur i përkiste Perandorisë Osmane.

Ndalesa u zhvillua përpara se ministri turk të vizitonte Athinën, vizitë që synon të përmirësojë raportet midis vendeve fqinje.

“Ne duam që Greqia të japë të njëjtat të drejta siç ne i sigurojmë Kishës Ortodokse greke dhe pakicës greke për turqit në Thrakinë Perëndimore”, tha Çavusoglu gjatë vizitës.

Vërejtjet e Çavusoglu erdhën përpara takimeve të tij zyrtare me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm Nikos Dendias në Athinë, takime që zhvillohen ditën e sotme.

Greqia reagoi me zemërim ndaj deklaratës të zyrtarit turk që përshkruante anëtarët e një pakice myslimane në Greqinë veriore si turq dhe tha se nuk u ishte dhënë e drejta e plotë qytetare.

“Përpjekjet e vazhdueshme të Turqisë për të shtrembëruar realitetin, si dhe pretendimet e saj që pretendojnë mungesë të mbrojtjes së të drejtave të këtyre shtetasve ose diskriminim, janë të pabazuara dhe refuzohen në tërësinë e tyre,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke në një njoftim për shtyp.

Kujtojmë se të dy ministrat e jashtëm u përplasën hapur muajin e kaluar në një konferencë shtypi në Ankara pas një takimi që synonte të lehtësonte tensionet midis dy rivalëve historikë.

Të dyja vendet, anëtarë të aleancës së NATO-s, janë në mosmarrëveshje për çështje që variojnë nga pretendimet territoriale detare në Mesdheun lindor deri në statusin e Qipros dhe çështjen e emigrantëve.

Tensionet janë lehtësuar pak muajt e fundit dhe zyrtarët rifilluan bisedimet pas një ndërprerje pesë-vjeçare.