Argjentina nuk do të ketë të drejtën për të organizuar Kupën e Amerikës. Konfederata amerikano–latine e futbollit ka marrë këtë vendim, duke e vendosur turneun në rrezik, 13 ditë përpara fillimit të tij.

Kupa e Amerikës do të zhvillohej prej 13 qershorit deri më 10 korrik në Kolumbi, por edhe ky shtet u përjashtua si mundësi për të qenë vend pritës për shkak të protestave masive që kanë përfshirë vendin.

Sa i përket Argjentinës, konfederata amerikano-latine nuk jep detaje, por thotë se organizimi i turneut në kushtet aktuale është i pamundur. Natyra e rrethanave nuk specifikohet megjithatë, Argjentina për momentin po vuan një valë të pandemisë koronavirus.

Kupa e Amerikës u shty me një vit sikurse kampionati evropian i futbollit për shkak të Covid-19. Shtete të tjera amerikano-latine të cilat kanë shfaqur interes për të organizuar eventin, po vlerësohen dhe së shpejti do të ketë një njoftim.