Me 83 vota pro, parlamenti zgjodhi Armela Krasniqin si kryetare të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Krasniqi është edhe drejtorja e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ndërsa ka mbajtur deri në vitin 2017 postin e drejtores së Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri.

Delegacioni i Bashkimit Europian i kishte bërë thirrje Kuvendit ta shtynte për në shtator këtë vendim, por sugjerimi nuk u mor parasysh.

Pak minuta para vendimit, kreu i PD Lulzim Basha nuk e ka cilësuar forcë, por harbutëri zgjedhjen në Parlament të kreut të ri të AMA-s, nga mazhoranca në këtë legjislaturë, pavarësisht thirrjes së delegacionit të BE-së dhe OSBE-së në Tiranë.

Për kryedemokratin, “qeveria vendos të mos i shërbejë interesave të vendit, duke hedhur poshtë qëndrimet e partnerëve për ta shtyrë votimin për AMA-n në shtator”.

 “’E ka fajin Europa’ llomotit poshtë e lart, për të fshehur dështimin e tij dhe pengimin e Shqipërisë. Por sapo i jepet një shans për të vepruar në shërbim të interesave të vendit, sikurse kërkuan BE dhe OSBE, zgjedh të bëjë të kundërtën, duke hedhur poshtë thirrjen e partnerëve për të shtyrë në shtator votimin për AMA. Kjo nuk është forcë, po harbutëri në dëm të të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë”, shkroi Basha në Twitter.