Komisioni Europian propozoi të mërkurën një rregullore që krijon një certifikatë dixhitale që duhet të lejojë udhëtime të sigurta brenda BE-së. Masa ka për qëllim kryesor të shpëtojë turizmin në Europë

Komisioni Europian propozoi Digital Green Certificate (Certifikatë Digjitale të Gjelbër) për të lehtësuar lëvizjen e sigurt brenda BE-së, gjatë pandemisë COVID-19.

“Me certifikatën e vaksinimit, ne synojmë të ndihmojmë shtetet anëtare të kthehen në lëvizshmërinë e sigurt dhe të koordinuar”. Kështu u shpreh presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë shtypi për prezantimin e një pakete të re masash për heqjen e kufizimeve të udhëtimit.

Qytetarët europianë do të jenë në gjendje të kthehen për të udhëtuar këtë verë duke plotësuar tre kushte: 1. duke siguruar prova se ata i janë nënshtruar vaksinës. 2. Kanë një test negativ. 3. Janë shëruar nga koronavirusi dhe kanë zhvilluar antitrupa.

Këto janë përmbajtjet kryesore të lejes së re Covid të paraqitura nga Komisioni i BE-së për të rifilluar udhëtimet në Evropë. Certifikata duhet të jetë në dispozicion nga qershori në format digjital ose letër dhe ligjërisht e detyrueshme për vendet anëtare, shpjegoi Komisioneri Evropian për Drejtësi, Didier Reynders.

“Digital Green Certificate” do të shërbejë si siguri që një person është vaksinuar kundër COVID-19, ka marrë një rezultat negativ të testit ose është rikuperuar nga COVID-19. Ky dokument do të jetë në dispozicion, pa pagesë, në format digjital ose letër. Ai do të përfshijë një kod QR për të siguruar vërtetësinë e certifikatës.

“Pasaporta e vaksinës së BE, e quajtur zyrtarisht “Digital Green Certificate” do të jetë falas, dygjuhëshe, ndërvepruese, e sigurt, jodiskriminuese dhe e disponueshme në format digjital dhe fizik përmes kodit QR.”

Kjo bëhet për të lehtësuar “lëvizjen e sigurt dhe të lirë” brenda BE-së gjatë pandemisë.

“Digital Green Certificate” do të përmbajë tri certifikata të dallueshme:

Certifikatat e vaksinimit, duke shënuar markën e vaksinës së përdorur, të dhënat dhe vendin e injektimit dhe numrin e dozave të administruara.

Certifikatat e testit negativ (testi NAAT / RT-PCR ose një test i shpejtë i antigjenit).

Certifikata mjekësore për njerëzit që janë rikuperuar kohët e fundit nga COVID-19.