Nga Klodian Tomorri

Një raport i dy ekspertëve ndërkombëtar për flukset e jashtëligjshme të parasë në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor del në përfundimin se në Shqipëri, gjatë periudhës 2017-2019 u pastruan 1.6 miliardë euro vetëm në sektorin e ndërtimit. Për të parë se sa serioz është raporti mjafton vetëm paragrafi me poshtë:

“Një ekspert vlerëson se në vitin 2019 në Shqipëri u pastruan 500 milionë euro në sektorin e ndërtimit. Duke përdorur të njëjtën metodë vlerësimi, në vitin 2018 u pastruan 570 milionë euro, ndërsa në 2017-ën u pastruan 320 milionë euro. Kjo e çon shifrën totale të pastruara në këto tre vjet në 1.6 miliardë euro”- thotë raporti.

Tani mblidhini pak shifrat e mësipërme. Shkurt 500 milionë + 570 milionë+ 320 milionë bëjnë 1.39 miliardë euro. Pra 210 milionë euro dolën rrugës. Siç thoshte i ndjeri Fadil Hasa në skeçin e famshëm 28 kamionë për 7 batalione bëjnë 13 kamionë për një batalion. Një raport që ka gabime kaq trashanike nuk meriton të vlerësohet më tej. E megjithatë, kjo është lajthitja më e vogël.

Perla më e madhe është mënyra si kanë nxjerrë shifrat e parave të pastruara. Citoj:

“Në vitin 2009 u dhanë 200 milionë euro kredi hipotekore. Meqenëse bankat financojnë vetëm 70 për qind të vlerës së ndërtimit atëherë i bie të jenë blerë 300-400 milionë euro apartamente të ligjshme, kur statistikat tregojnë se në sektorin e real estate u ndërtuan 953 milionë euro. Kjo do te thotë se pjesa tjetër u financua me burime te paligjshme”- vijon raporti.

Cila statistike tregon se u ndërtuan 950 milionë euro ne vitin 2019? Nuk ka asnjë statistikë të tillë, por nëse do kishte të jenë të sigurtë se në asnjë vit nuk janë ndërtuar 950 milionë euro ndërtime private në Shqipëri.

Të njëjtën llogari kanë bërë dhe për 2017-en dhe për 2018-en dhe me këtë metode kanë dalë në përfundimin se në këto tre vjet u pastruan 1.6 miliardë euro në ndërtim. Por kur numrave ja u këput kot, rrezohesh rrugës.

Në fakt sipas të dhënave zyrtare, në total vlera e lejeve të ndërtimit që janë dhënë për periudhën 2017-2019, pa përfshirë investimet publike, është 150 miliardë leke ose 1.2 miliardë euro. Raporti thotë se për të njëjtën periudhë u pastruan në ndërtim 1.6 miliardë euro.

Edhe sikur lejet e miratuara të ishin realizuar të gjitha, (por që nuk ndodh kurrë për shkak të shfazimit në kohë), edhe sikur këto ndërtesa të ishin financuar të gjitha me para të pista, prapë nuk bëhen dot 1.6 miliardë euro. Mungojnë 400 milionë euro që duhet të jenë pastruar në Mars. Tani ky ishte krahu i ofertës.

Le ta marrim nga krahu i kërkesës. E para gjë qe duhet sqaruar është se në Shqipëri nuk ka asnjë statistikë se sa është vëllimi i transaksioneve në tregun e ndërtimit. Pra sa euro shpenzohen në vit për të blerë apartamente. Por edhe nëse do të ekzistonte kjo statistike, serish është gabim trashanik që çdo transaksion mbi vlerën e kredisë hipotekore ta quash automatikisht pastrim parash.

Së pari, njerëzit kanë depozita në banke dhe blejnë apartamente me kursimet e tyre pa marrë kredi fare. Si e llogariti raporti sa për qind e tregut u financua nga depozitat?

Së dyti, unë shes apartamentin që kam dhe me paratë e arkëtuara shkoj blej një shtëpi tjetër. Shitësi im me paratë që mori nga unë shkon blen një shtëpi tjetër e kështu me radhe. Sa leke u pastruan në ndërtim? Ky raporti i mbledh të gjitha këto dhe i quan pastrim parash.

Së treti, po emigrantët kanë të drejtë të blejnë shtëpi në Shqipëri apo nuk u lejohet?

Së katërti, po te huajt që po blejnë shtëpi gjithandej nëpër Shqipëri, në bregdet dhe jo vetëm, nuk kanë të drejtë?

Askush nuk e mohon se në Shqipëri pastrohen para në ndërtim, ashtu siç pastrohet në çdo vend të botës. Por shifrat nuk nxirren qesim nga mendja.

Ekspertët që kanë bërë raportin janë në rregull totalisht me veten e tyre. Mbushën faqet dhe kanë marrë paratë nga GIZ-i. Problemi është se këto raporte i sheh ndonjë burokrat në zyrat e Brukselit dhe i përfshin në raportet e tyre zyrtare. Pastaj shtrëngojnë edhe më shumë presionin duke na imponuar të tjera ligje edhe me të rrepta.

Sot Shqipëria është bërë një nga vendet me ligjet më të ashpra kundër kapitalit. Në asnjë vend nuk ka kaq ligje të ashpra dhe klimën kaq armiqësore ndaj kapitalit që hyn. As në SHBA, as në BE, askund. Dhe po, ky është bërë problem serioz. Nuk sjellin dot emigrantët lekët se i masakron prokurori dhe u merr gjysmat. Po pse me ca do jetojmë ne? Industri nuk kemi, tru që t’i japim mend botës nuk kemi. Para nga BE nuk marrim. Me ligjet që na i shtrëngojnë vit për vit na e kanë vënë lakun në fyt. Çfarë duhet të bëjmë ne? Po merrni bëni njëherë një raport, sa leke u pastruan vjet në Holandë. Vetëm jo si ky.